Flash News

Ditari i Opozitës

Efektivët e inkriminuar brenda policisë, Balliu kërkon interpelancë me ministrin e Brendshëm

Efektivët e inkriminuar brenda policisë, Balliu kërkon

Klevis Balliu, nënkryetari i Komisionit për Punët e Brendshme dhe Mbrojtjen Kombëtare dhe njëherazi deputet i PD, ka kërkuar interpelancë me ministrin e Brendshëm, Besfort Lamallari, për emërimet në radhët e Policisë së Shtetit.

Në një deklaratë, Balliu risolli në vëmendje raportet e partnerëve ndërkombëtarë të cilët vënë në dukje korrupsionin dhe inkriminimin e strukturave të policisë.

Deputeti demokrat kërkoi që ministri i Brendshëm të japë llogari para qytetarëve për mënyrën se si janë menaxhuar proceset e emërimeve, promovimeve dhe mekanizmat e kontrollit të integritetit brenda Policisë së Shtetit.

Fjala e Balliut:

Në emër të grupit parlamentar të Partisë Demokratike kam depozituar në Kuvend kërkesën për interpelancë urgjente me Ministrin e Brendshëm, lidhur me shqetësimet serioze për nivelin e inkriminimit dhe cenueshmërisë së Policisë së Shtetit ndaj korrupsionit dhe ndikimit të krimit të organizuar.

Raportet e partnerëve ndërkombëtarë dhe të institucioneve prestigjioze ndërkombëtare kanë theksuar në mënyrë të përsëritur se strukturat e zbatimit të ligjit në Shqipëri mbeten të ekspozuara ndaj korrupsionit dhe infiltrimit kriminal. Kur elementë kriminalë arrijnë të depërtojnë në strukturat që kanë për detyrë të luftojnë krimin, kjo përbën jo vetëm një problem institucional, por edhe një rrezik serioz për sigurinë kombëtare dhe për besueshmërinë e shtetit shqiptar ndaj partnerëve tanë strategjikë ndërkombëtarë.

Në një demokraci funksionale, përgjegjësia për integritetin dhe funksionimin e institucioneve të sigurisë është edhe përgjegjësi politike. Për këtë arsye është e domosdoshme që qeveria dhe Ministria e Brendshme të japin shpjegime të qarta për mënyrën se si janë menaxhuar proceset e emërimeve, promovimeve dhe mekanizmat e kontrollit të integritetit brenda Policisë së Shtetit.

Zhvillimet e fundit ngrenë pikëpyetje serioze edhe mbi efektivitetin e procesit të verifikimit të integritetit në polici, i cili u prezantua si një reformë e rëndësishme për pastrimin e radhëve të policisë nga korrupsioni dhe lidhjet me krimin. Qartazi ky proces ka dështuar.

Për këtë arsye, përmes kësaj interpelance kërkoj që Ministri i Brendshëm të paraqitet përpara Kuvendit dhe të japë shpjegime të plota për këtë situatë shqetësuese. Inkriminimi i strukturave të policisë nuk është një fenomen që lind brenda një dite. Ai është rezultat i një procesi të gjatë degradimi institucional, i cili nuk mund të ndodhë pa dështim serioz të mekanizmave të kontrollit dhe pa përgjegjësi në nivelet më të larta të drejtimit.

Të fundit