Flash News

Ditari i Opozitës

Rinumërimi/ Korreshi: Në Fier u bë masakër elektorale me patronazhistë dhe lekët e shtetit

Rinumërimi/ Korreshi: Në Fier u bë masakër elektorale me

Deputeti demokrat Saimir Korreshi deklaroi se manipulimi dhe deformimi i vullnetit të qytetarëve në qarkun e Fierit, ka nisur para 11 majit.

Në një deklaratë të dhënë për Syri TV, ai tha se gjatë 6 muajve të fundit, strukturat shtetërore dhe njësitë administrative janë vënë në funksion të Partisë Socialiste, duke kryer identifikimin dhe presionin ndaj qytetarëve për të siguruar vota në mënyrë të paligjshme.

"Baterdia që është bërë gjatë 6 muajve të fundit në qarkun Fier është e paprecedentë. Këto janë denoncuar jo vetëm gjatë muajit të fushatës elektorale, por përgjatë gjithë periudhës së 6-mujorit të fundit. Njësitë administrative janë vënë të gjitha në shërbim të Partisë Socialiste, duke u kthyer në patronazhistë, identifikues e duke bërë një lloj censi të brendshëm, të gjitha me paratë e shqiptarëve.

Qëllimi i vetëm ka qenë identifikimi dhe kapja e qytetarëve. Ishte e pamundur të merrje një leje ndërtimi, qoftë për rrethim apo çati, pa dhënë më parë një premtim për votën. Në rastet kur nuk kishin besim, shkonin deri aty sa të merrnin edhe kartat e identitetit.

Tani, në këtë moment, presim të shohim sa i kanë vjedhur njëri-tjetrit. Mendoj se pjesa më e madhe e manipulimeve dhe vjedhjes së vërtetë të votave është bërë gjatë këtyre 6 muajve para datës 11 maj.

Partia Demokratike nuk ka kërkuar vetëm rinumërim, por ka kërkuar pavlefshmërinë e procesit. Kërkesa kryesore ka qenë anulimi i zgjedhjeve, pasi më 11 maj nuk kemi pasur një garë të ndershme, por një farsë të madhe elektorale.

Jam e pranishme këtu për të ndjekur çdo votë të çdo qytetari të Fierit. Besoj se kutitë e Fierit do të sjellin më shumë ‘çudira’.

Më intereson më shumë se çdo gjë tjetër kjo ‘baterdi’ që u është bërë shqiptarëve. Sot, ata që morën 20 mijë lekë për një votë, kanë nisur të kuptojnë se kjo që po ndërtohet është një shtet diktatorial", deklaroi Korreshi.

Të fundit