Flash News

OP-ED

Ditari i Rezistencës/ Djali i “malit” dhe tifozët e racës ariane

Ditari i Rezistencës/ Djali i “malit” dhe tifozët e

nga Koloreto Cukali

24 gusht 2019

Në turnin e drekës, dielli pjek policët që ruajnë Ministrinë e z. Lleshi. Rojtarët e Teatrit rrinë në hije. Ne shohim policët, policët na shohin ne.

Pas një javë mungese, jam kthyer në sheshin e Rezistencës. Nga Festivali i Sarajevës në Festivalin e Teatrit. Nesër (të dielën) në 8:30 ka shfaqje në Teatër dhe një grup njerëzisht po punojnë me skenografinë, me gjenerator. Janë 2 artistë që vijnë nga Italia që do vënë një monodramë.

“Pse je këtu”, i bëj pyetjen e zakonshme një djali që nuk e kam parë më përpara në shesh. Djali ka mbaruar Universitetin në Tiranë dhe punon në një muze në një qytet të Veriut – nuk e them dot se ku, se kam frikë mos i hap telashe.

“Vij të shtunave e iki të dielave”, më thotë. “Po e prishën Teatrin, do të thotë që kushdo mund të prishë gjithçka në Shqipëri”. “Të gjithë këta që janë këtu nuk duan që Teatri të prishet, por motivet mund të mos i kemi njëlloj. Unë, këtë arsye kam, nuk e di të tjerët...”.

Kjo është fare e vërtetë. Nga shumë njerëz që vijnë këtu, dikush e ka politike, dikush e ka personale, ndonjë shpreson të marrë dhe një post, dikush ka mllef me qeverisjen, taksat e Veliajn, por ka një pjesë të madhe, përfshirë dhe mua, që vijnë për të njëjtën arsye si ky djalë nga ai qytet i thellë i Veriut. Ne nuk kemi shumë gjëra, nuk kemi shumë ndërtesa historike – shumicën i shembën në këto vite tranzicioni pa mëshirë për të bërë kullat e milionat e tyre. Nga ato pak që kanë mbetur, ky Teatër, është simboli.

Në Pedonalen ngjitur, kalojnë një turmë tifozësh duke bërtitur. Duhet të ketë ndonjë ndeshje sot. Parrullat e tyre, janë thellësisht të turpshme. Thonë gjëra të tipit “qyteti është i joni, ju nuk keni vend këtu” etj. Dal e i shoh tek kalojnë. Janë kryesisht të rinj, pjesë e brezave të djegur të Shqipërisë. Të arsimuar keq, të edukuar keq, të ushqyer me fast-food televiziv, të bombarduar me imazhe e idhuj ordinerë, ata shfryjnë mllefin e tyre si çdo shoqëri e shtypur, ndaj “të tjerëve”. Këta, për arsyet me idiote të botës mendojnë që janë autoktonët e Tiranës, dhe të tjerët janë “armiku”. Ky është fati i keq i Shqipërisë. Një piramidë dhune psikologjike e ekonomike që vjen nga lart poshtë. KM dhunon ministrat, këta dhunojnë nëpunësit, biznesi i madh dhunon të voglin, tregtari i vogël dhunon punëtorin, punëtori rreh gruan, gruaja i bërtet fëmijës, fëmija godet qenin. Dhe sa herë ka ndeshje, një tufë të dhunuarish që shkon në stadium duke shfryrë tërë dhunën që pësojnë përditë.

Nqs ajo tufë tifozësh do e donin vërtet Tiranën, do ishin në sheshin e Teatrit, duke mbrojtur gjënë më të bukur që ka Tirana. Por jo, ata duan vetëm të shfryjnë racionin ditor të stresit, e nuk është se duan të bëjnë vërtet diçka.

Në vend të tyre, këtë Teatër vjen ta mbrojë një djalë nga një qytet i Veriut, që nuk bërtet, që është i qetë, artikulon fjali të sakta e argumente solide.

Turma e tifozëve ka ikur, duke sharë gjithë ata që “nuk kanë vend në Tiranë, se Tirana është e jona”. Të mjerët. Tirana, është e 10 sheikëve plus e Ramës dhe e Veliajt. Bizneset e vogla e ndjejnë përditë. Por, sistemi kujdeset që turma si këto t'i ushqejë me cirk e mos i lërë të rebelohen. Shkoni e bërtisni në Stadium, po jo në shesh! “Le bandiere di una volta sono appese negli stadi” këndojnë diku Modena City Ramblers.

Ka, megjithatë, një moment sportiv që më ka bërë shumë përshtypje. Momenti kur dronin me “Autochtonous” u përpoq ta kapte një serb. Një lojtar shqiptar, e mori dronin nën mbrojtje. Sepse, në atë moment ai dron me atë copë të kuqe ishte një simbol. Ai djalë, edhe pse në mes të represionit ksenofob, e mbrojti atë simbol.

Këtë po bëjmë ne me këtë Teatër. Sepse ky është simbol. Sepse njësoj si ata 11 djem të rrethuar në atë fushë me mijëra ksenofobë, edhe ne jemi të rrethuar nga propaganda, nga mafia e ndërtimit, nga një Kryeministër i ngarkuar me urrejtje. Jemi të rrethuar nga një injorancë e thellë, nga dele që janë gati të na kafshojnë me urdhërin e Bariut.

Por, si ai djalë në fushën e Beogradit, ne do ta mbrojmë këtë Teatër. Do ta mbrojmë dhe për ata tifozë që bërtasin me mendjelehtësi parrulla raciste mu në mes të Tiranës, në 2019-n. Ne do ta mbrojmë për të gjithë, edhe për ata që nuk kuptojnë, edhe për ata që u është bërë lavazh truri, edhe për ata që jetojnë në urrejtje, edhe për delet.

No Pasarán!

Të fundit