Flash News


E SHPJEGUAR

Nga Dhoma Amerikane e Tregtisë te KE kundër ‘amnistisë fiskale’, argumentet pse nisma e qeverisë është e rrezikshme

Nga Dhoma Amerikane e Tregtisë te KE kundër ‘amnistisë

Projektligji i ‘Amnistisë Fiskale’ i propozuar nga qeveria shqiptare duket se nuk ka tingëlluar pozitivisht për ndërkombëtarët, madje është pritur me kritika.

Njëzëri, ata shprehin shqetësimi në rritje për Shqipërinë se nisma do të shërbejë për kthimin e vendit në një qendër të pastrimit të parave. 

Shoqata Gjermane e Industrisë dhe Tregtisë

Shoqata Gjermane e Industrisë dhe Tregtisë në Shqipëri (DIHA) është shprehur kundër ligjit për Amnistinë Fiskale.

Në një deklaratë për shtyp, DIHA thotë se ligji në fjalë duhet të ishte pjesë e një pakete ligjore gjithëpërfshirëse, për të sjellë efikasitetin dhe për të nxitur konkurrencë në treg.

DIHA thekson se ligji do të sillte efekte negative, si nxitja e bizneseve formale për të kaluar në informalitet. DIHA i mëshon edhe tatimit, duke theksuar se një tatim me 5%, 7% dhe 10% është mjaft i ulët, çka nxit formalizimin e parave dhe aseteve të padeklaruara.

Dhoma Amerikane e Tregtisë në Shqipëri

Dhoma Amerikane e Tregtisë në Shqipëri është kundër amnistisë fiskale, në formën që e ka propozuar qeveria.

Sipas saj, nisma nuk jep garanci që individët me aktivitete kriminale serioze si droga, trafiku i qenieve njerëzore dhe pastrimi i parave, të përjashtohen nga amnistia.

Po ashtu, zbatimi i amnistisë do të sjellë konkurrencë të pandershme, duke favorizuar individë me aktivitete të shkuara të paligjshme.

Komisioni Europian

Më herët, edhe Komisioni Europian paralajmëroi se drafti i qeverisë “Rama” për amnistinë fiskale do të dobësojë kontrollin kundër pastrimit të parave si dhe përbën një rrezik thelbësor për reputacionin e vendit.

Përmes një deklarate të shpërndarë të hënën nga delegacioni i BE-së në Tiranë, Komisioni Europian deklaroi se drafti dobëson kontrollin e Shqipërisë kundër pastrimit të parave; çka shqetëson shtetet anëtare të Bashkimit Europian si dhe partnerët e tjerë.

Ligji për amnistinë fiskale është denoncuar edhe nga opozita, sipas së cilës ai ka për qëllim të pastrojë paratë e siguruara nga veprimtaria kriminale. 

Çfarë parashikon nisma?

Projekti parashikon që përkundrejt një tatimi nga 5 deri në 10% të pasurisë së vënë përmes kontrabandës apo evazionit fiskal, shtetasit shqiptarë apo të huajt me rezidencë fiskale në Shqipëri do të kenë mundësinë të deklarojnë deri në 2 milionë euro për familje dhe t’i shpëtojnë përgjithmonë përgjegjësisë penale apo administrative për krimet e kryera, përfshirë evazionin fiskal, mashtrimin me TVSH-në apo kontrabandën me mallrat e akcizës.

Qeveria e kryeministrit Edi Rama publikoi në vitin 2020 një nismë për amnisti fiskale ndërsa u përball me kritika nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, i cili theksoi se një amnisti fiskale mund të përdoret për pastrim parash. 

Të fundit