Flash News

E-TJERA

70 mln lekë për ilaçe që s’ekzistonin, si funksiononte skema e rimbursimit fiktiv në FSDKSH?

70 mln lekë për ilaçe që s’ekzistonin, si

Prokuroria e Tiranës ka zbuluar një skemë mashtrimi me ilaçet e rimbursueshme, që përfshinte zyrtarë të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor (FSDKSH) dhe administratorë të disa kompanive farmaceutike. Hetimet kanë çuar në firmosjen e 8 masave sigurie, mes tyre edhe arrestimin e drejtorit të FSDKSH, Spartak Zekja.

Sipas dosjes hetimore, skema funksiononte përmes krijimit të inventarëve fiktivë të barnave të rimbursueshme, kryesisht të produkteve “Foster” dhe “Trimboe”. Kompanitë “Pharma Plus” dhe “Medix Albania”, të lidhura me administratorin e “CFO Pharma” F.M., deklaronin në sistem sasi të mëdha medikamentesh që në fakt nuk ekzistonin fizikisht në magazina. Këto të dhëna të rreme më pas miratoheshin nga zyrtarë të FSDKSH, të cilët kishin detyrimin të verifikonin mallrat në terren.

Në bazë të këtyre inventarëve fiktivë, kompanitë realizonin shitje po aq fiktive drejt “CFO Pharma” e më pas drejt farmacive, duke përfituar rimbursime në vlera të konsiderueshme nga FSDKSH. Vetëm dy prej kompanive kishin deklaruar mbi 70 milionë lekë vlerë medikamentesh pa asnjë blerje reale.

Në këtë skemë dyshohet të jenë përfshirë disa punonjëse të Fondit, të cilat kanë firmosur dokumente dhe kontrata pa verifikim fizik të produkteve. Prokuroria thekson se drejtori i FSDKSH, Spartak Zekja, ka firmosur kontratat me subjektet farmaceutike që kishin paraqitur inventarë të falsifikuar.

 

Të fundit