Flash News

E-TJERA

Ambasada e SHBA reagon për rikthimin e ekspertëve në SPAK: Programet thelbësore për interesat kombëtare të SHBA

Ambasada e SHBA reagon për rikthimin e ekspertëve në SPAK:

Që prej të enjtes së kaluar, të gjithë ekspertët e OPDAT, të cilët janë vendosur pranë SPAK, janë rikthyer në detyrën e tyre, pas një periudhe pezullimi që erdhi pas vendimit të Departamentit të Shtetit për të pezulluar disa programe.

Një zyrtar i ambasadës amerikane shpjegoi se disa programe, të cilat konsiderohen thelbësore për interesat kombëtare të Shteteve të Bashkuara, janë rikthyer, ndërkohë që ndihma e huaj amerikane është ende në proces rishikimi. Ky rishikim po zhvillohet në përputhje me Urdhrin Ekzekutiv të Presidentit Trump të datës 20 janar, që kërkonte rivlerësimin dhe riorganizimin e ndihmës së jashtme të SHBA.

Në përgjigjen dërguar përmes postës elektronike për Top Channel, thuhet: “Në përputhje me Urdhrin Ekzekutiv të Presidentit Trump të datës 20 janar për Rivlerësimin dhe Riorganizimin e Ndihmës së Jashtme të Shteteve të Bashkuara, Sekretari Rubio nisi një rishikim të të gjithë ndihmës së huaj të SHBA për t’u siguruar që programet të jenë efikase dhe në përputhje me politikën e jashtme të SHBA nën agjendën ‘Amerika e Para’. Disa programe që konsiderohen thelbësore për interesat kombëtare të SHBA kanë rifilluar, ndërkohë që rishikimi i ndihmës së huaj është ende duke u zhvilluar”.

Pas rikthimit të ekspertëve të OPDAT, ata kanë zhvilluar takime me prokurorët e posaçëm të SPAK për të diskutuar vijimin e bashkëpunimit dhe për të sqaruar proceset që lidhen me luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

OPDAT, i krijuar në vitin 1991 nga Departamenti i Drejtësisë i SHBA, është një mekanizëm për luftimin e krimit transnacional dhe ka për qëllim krijimin e partneriteteve me autoritetet e huaja për të parandaluar veprimtaritë kriminale përpara se ato të prekin territorin amerikan.

Të fundit