Flash News

E-TJERA

Arratisja e bujshme e Altin Ndocit, 8 të arrestuarit dalin sot para gjykatës

Arratisja e bujshme e Altin Ndocit, 8 të arrestuarit dalin sot para

Tetë persona të arrestuar në lidhje me arratisjen e bujshme të Altin Ndocit nga spitali rajonal i Durrësit do të dalin ditën e sotme para Gjykatës së Durrësit, ku do të njihen me masën e sigurisë.

Arrestimet u kryen pas ngjarjes që tronditi opinionin publik dhe nxori në pah mangësi serioze në sistemin e sigurisë gjatë shoqërimit të të paraburgosurve.

Mes të arrestuarve janë kryeinfermieri i spitalit, Aulon Çuko, zëvendësshefi i komanduar i policisë së burgut, Desdemon Pazaj, si dhe pesë efektivë të policisë së shoqërimit: Dorjan Saraçi, Sal Ferollari, Preng Marvataj, Fatjon Baçi dhe Aranit Çela.

Në pranga ka rënë gjithashtu edhe Violeta Uka, përgjegjëse për njoftimin e sallave operative gjatë shoqërimit të të paraburgosurve.

Ndërkohë, ditën e djeshme u arrestua edhe ish-drejtori i burgut të Durrësit, Indrit Cerloj, si pjesë e të njëjtit operacion, duke e zgjeruar më tej përgjegjësinë institucionale për arratisjen.

Ngjarja ndodhi të martën, kur Altin Ndoci, një nga emrat më të njohur të botës së krimit dhe i pandehur në procesin e bujshëm “Plumbi i Artë”, u arratis nga ambientet e spitalit rajonal të Durrësit. Ndoci, i cilësuar si vrasës me pagesë i organizatës kriminale të drejtuar nga vëllezërit Franc dhe Hajdar Çopja, ishte shoqëruar nga punonjësit e policisë së Burgjeve për vizita mjekësore në repartin Infektiv, në dhomën e posaçme për të paraburgosurit dhe të dënuarit, pasi kishte shfaqur probleme shëndetësore me veshkat.

Sipas burimeve, në një moment Ndoci ka kërkuar të shkojë në tualet, ku ka goditur një nga tre punonjësit e policisë së burgjeve që e shoqëronin dhe është larguar me shpejtësi. Mësohet se një prej policëve ka qëlluar në ajër gjatë ndjekjes, por pa arritur ta ndalojë.

Në parkimin e spitalit, Ndocin e priste një automjet tip Audi A7, ngjyrë e bardhë, me targa AA700RS. Sapo është futur në mjet, ai është larguar në drejtim të zonës së Spitallës, duke humbur më pas çdo gjurmë.

 

Të fundit