Flash News

E-TJERA

Beteja për “Prindi 1” dhe “Prindi 2”, pastori Akil Pano: Do reagoj gjithmonë në mbrojtje të familjes tradicionale

Beteja për “Prindi 1” dhe “Prindi 2”, pastori Akil

Pastori Akil Pano fitoi betejën në Gjykatën Administrative të Tiranës për vendimin e Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi kundër tij, lidhur me iniciativën e komunitetit LGBTI që kërkonte zëvendësimin e prindërve me termin “Prindi 1” dhe “Prindi 2”.

I ftuar në MCN Tv, Pano thotë se ndjehet sa triumfator gjatë dy viteve që ka ndjekur betejat gjyqësore, pas vendimit të Komisionerit i cili e identifikoi Panon si diskriminues ndaj grupit LGBTI.

Sipas tij, Komisioneri kishte argumentuar se deklaratat diskriminuese të tij kishin nxitur dhunimin e një transgjinori. Pastori thotë se nga verifikimet e bëra në komisariate nuk rezultonte ndonjë transgjinor i dhunuar.

“Këtë çështje e sfiduam se në vendimin e Komisionerit për Diskriminimin, përmendej se duhet të tregoja shumë kujdes, në agorën e debatit publik në raport me këto tema. Kemi të bëjmë me betejën e konservatorizmit, përballë liberalizmit. Kemi të bëjmë me kulturën e ndalimit, censurën.

Kemi të bëjmë me mbetje të komunizmit që vijnë nëpërmjet një kulture të re, si kultura e ndalimit, që arrijnë të intimidojnë dhe bullizojnë, njerëz që janë në mbrojtje të familjes tradicionale, mamaja, babai dhe fëmijët.

Kjo është çështja e dytë e komisionerit, e para ishte ngritur nga grupi LGBT, mbi çështjen e madhe të prindit 1 dhe 2. Komisioneri e ndaloi çështjen e parë, por të dytën e vazhdoi kryesisht. Komisioneri thotë se si rrjedhojë e faktit që ke audiencë të gjerë dhe komente pozitive nga ndjekësit e tu, për shkak të qëndrimit tënd ndaj “Prindit 1 dhe Prindi 2”, për rrjedhojë është dhunuar një transgjinor.

Në komisariate ku jemi interesuar nuk kemi gjetur asnjë rast dhune ndaj transgjinorit. Kur shikojmë datat e të dhunuarit dhe dy emisionet ku unë kam folur, shohim që ky transgjinor shfaqet në emisionet ku unë kam folur. Por duke parë datat rezulton se transgjinori është dhunuar një muaj para diskursit tim në televizion. Kjo është çështje e fabrikuar. Kam reaguar dhe do reagoj gjithmonë në mbrojtje të familjes, fëmijës, nënës dhe babait”, tha Pano.

Të fundit