Flash News

E-TJERA

“Duhet të ketë shumë prindër të sëmurë në Shqipëri!” Gjykatësi britanik ironizon shqiptarët që kapen me drogë

“Duhet të ketë shumë prindër të sëmurë

Një gjykatës britanik ka thumbuar me ironi justifikimet e përsëritura të shqiptarëve të kapur me drogë në Mbretërinë e Bashkuar, duke vënë në pikëpyetje sistemin shëndetësor në Shqipëri.

Në Gjykatën e Lartë të Exeter, u shqyrtua rasti i Ilber Gjokë, 30 vjeç, i kapur me 11 qese kokainë me vlerë 407 paund, të fshehura në të brendshmet e tij, si dhe 245 paund para të gatshme.

 Ai pranoi se ishte përfshirë në tregtinë e drogës për të shlyer një borxh dhe për të ndihmuar babanë e tij të sëmurë në Shqipëri.

Pas dëshmisë, gjykatësi James Patrick komentoi me sarkazëm:

 “Duhet të ketë shumë njerëz të sëmurë në Shqipëri. Është rasti i dytë sot që dëgjoj të njëjtën histori, herën e parë ishte për një nënë të sëmurë.”

Më herët, po i njëjti gjykatës kishte dënuar Argent Balën, i cili u kap duke kultivuar kanabis në një zonë industriale në South Brent, dhe kishte dhënë të njëjtin arsyetim: probleme ekonomike dhe familjare.

Gjykatësi shtoi me ironi se Shqipëria "nuk ka një Shërbim Kombëtar Shëndetësor", duke lënë të kuptohet se shumë shqiptarë po e përdorin gjendjen shëndetësore të familjarëve si justifikim për veprimtari kriminale.

Ilber Gjoka, i cili rezulton pa precedentë penalë në Britani, u dënua me 20 muaj burg për posedim droge me qëllim shpërndarjeje. Gjykata pranoi se ai e kishte pranuar fajin që në fazat e para dhe se ndoshta do të vuajë 40% të dënimit, por u la të kuptohej se ai mund të dëbohet nga Britania pas përfundimit të vuajtjes së dënimit.

Të fundit