Flash News

E-TJERA

Firence, arrestohen dy shqiptarë me 23 kg kokainë

Firence, arrestohen dy shqiptarë me 23 kg kokainë

Policia italiane në Firence ka arrestuar dy shtetas shqiptarë, një burrë 25-vjeçar dhe një grua 38-vjeçare, pas sekuestrimit të një sasie prej mbi 23 kilogramësh kokainë dhe një shume parash prej 11,450 euro. Ata akuzohen për posedim të lëndëve narkotike me qëllim shpërndarje.

Operacioni u finalizua pas një hetimi të detajuar dhe ndjekjeje nga oficerët e antidrogës. Policia u pozicionua pranë banesës së gruas 38-vjeçare, ku vëzhguan një burrë që, pasi parkoi makinën, hyri në apartament në mënyrë të dyshimtë. Pas pak minutash ai doli me një çantë, të cilën e vendosi në automjet, ndërkohë që shikonte me kujdes përreth.

Pikërisht sjellja e dyshimtë bëri që policia të ndërhynte menjëherë. Gjatë kontrollit të çantës, u zbuluan gjashtë pako në formë paralelopipedi, të mbështjella me plastikë blu dhe të shënuara me numrin “357”. Analizat e mëvonshme konfirmuan se substanca ishte kokainë.

Në të njëjtën kohë, gruaja mbërriti në vendngjarje dhe tentoi të largohej me shpejtësi, por u ndalua nga oficerët pas një ndjekjeje të shkurtër. Gjatë kontrollit në banesë, policia gjeti edhe pako të tjera kokainë, të ngjashme me ato në makinë, të fshehura në një qese brenda një dollapi. Gjithashtu, në një kasafortë të fshehur pas një pikture u gjet shuma prej 11,450 euro, dyshohet si përfitim nga trafiku i drogës.

Në total u sekuestruan rreth 23 kg kokainë, e ndarë në 20 "bukë", ndërsa dy të arrestuarit u dërguan në burgun Sollicciano, në pritje të vendimit për masën paraprake të sigurisë. Autoritetet theksojnë se përgjegjësia penale e të dyshuarve do të vlerësohet gjatë procesit gjyqësor.

Të fundit