Flash News

E-TJERA

Gjendja e tij e përkeqësua, Kryepeshkopi Anastas Janullatos operohet urgjentisht në Athinë

Gjendja e tij e përkeqësua, Kryepeshkopi Anastas Janullatos operohet

Kryepeshkopi Anastas Janullatos, 96 vjeç, është operuar me urgjencë në spitalin "Evangjelismos" në Athinë, pas një hemorragjie të rëndë në stomak. Gjendja shëndetësore e Kryepeshkopit u përkeqësua ndjeshëm në orët e fundit, duke kërkuar ndërhyrje të menjëhershme mjekësore.

Sipas raportimeve nga mediat gerek, Janullatos u intubua dhe transferua në Repartin e Kujdesit Intensiv, ku mjekët po monitorojnë nga afër shëndetin e tij.

Kryepeshkopi ndodhej në spital që prej së premtes së kaluar, kur u transferua nga Tirana në Athinë me një avion të Forcave Ajrore Shqiptare. Më herët, ai ishte i shtruar në një klinikë në Tiranë pas diagnozës fillestare për një virus sezonal, i cili, për shkak të moshës dhe gjendjes së tij të brishtë shëndetësore, u shndërrua në një infeksion më të rëndë, duke çuar në komplikacione të tjera.

Stafi mjekësor i "Evangjelismos", i drejtuar nga profesoresha Anastasia Kotanidou, është duke u kujdesur për Kryepeshkopin, i cili ka qenë pacient i tyre edhe gjatë periudhës së pandemisë Covid-19. Pavarësisht stabilizimit fillestar pas transferimit në Athinë, situata shëndetësore e Janullatos është përkeqësuar ndjeshëm ditët e fundit dhe konsiderohet kritike.

Lutje dhe solidaritet po shprehen nga besimtarët dhe komuniteti ortodoks në Shqipëri dhe Greqi, ndërsa pritet me shqetësim çdo përditësim mbi gjendjen e tij.

Të fundit