Flash News

E-TJERA

GJKKO çon për gjykim 32 të pandehurit e një rrjeti të madh trafiku emigrantësh

GJKKO çon për gjykim 32 të pandehurit e një rrjeti të

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka vendosur të dërgojë për gjykim një nga dosjet më të mëdha të trafikut të emigrantëve të zbuluara vitet e fundit, që përfshin 32 të pandehur. Vendimi u mor në seancën paraprake të datës 5 dhjetor, nën drejtimin e gjyqtares Flora Hajredinaj.

Sipas SPAK, grupi i strukturuar kriminal dyshohet se gjatë periudhës 2022–2024 ka organizuar kalimin e paligjshëm të shtetasve shqiptarë drejt Mbretërisë së Bashkuar, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kanadasë, duke përdorur rrugë tokësore, detare dhe ajrore. Hetimet kanë zbuluar se aktiviteti i tyre shoqërohej edhe me falsifikim dokumentesh identifikimi dhe vizash.

Në listën e të pandehurve përfshihen: Njazi Ademaj, Ylli Brahimaj, Rrezart Domi, Osman Luca, Artur Mici, Arsen Caka, Jugert Gashi, Emiljan Marashi, Robert Gjika, Roland Islamaj, Xhelal Krasniqi, Fitim Rama, Gridi Elezi, Maksim Domi, Dritan Cena, Redi Salaj, Behar Nuhiallari, Behar Rexha, Deila Qama, Arnold Shahu, Ylli Çaushaj, Artid Shtylla, Murat Gjuniku, Bardhyl Imeri, Bajram Xhaja, Besnik Lumaj, Altin Neli, Fatmir Stankova, Arben Rushiti, Leonardo Lama, Xhelil Alla, Perlat Canaj dhe Amarildo Luca.

Të gjithë akuzohen për veprat penale: ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit, falsifikim dokumentesh, pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal, kryerje të veprave penale nga organizata kriminale, si dhe shpërdorim detyre për disa prej tyre.

Pas shqyrtimit të kërkesës së SPAK, GJKKO vendosi se dosja plotëson kushtet për t’u kaluar në fazën gjyqësore, duke i hapur rrugë procesit që pritet të zbardhë mënyrën e funksionimit të rrjetit dhe përgjegjësitë e secilit prej të pandehurve. Procesi do të vijojë në seancat e ardhshme në Gjykatën e Posaçme.

Të fundit