Flash News

E-TJERA

Hetimet për AKSHI-n/ Apeli i GJKKO-së jep vendimin për Ervina Gjanën

Hetimet për AKSHI-n/ Apeli i GJKKO-së jep vendimin për Ervina

Gjykata e Posaçme e Apelit ka dhënë këtë të mërkurë vendimin për ankimin e zyrtares së Policisë së Shtetit, Ervina Gjana, lidhur me sekuestrimin e sendeve personale në kuadër të një hetimi që SPAK po zhvillon për dosjen penale të AKSHI-t.

Në kuadër të këtij hetimi, SPAK i kishte sekuestruar Gjanës tetë telefona celularë, si edhe pajisje të tjera elektronike që i përkisnin bashkëshortit të saj, Renato Hristic.

Përmes ankimit të paraqitur, Gjana ka kërkuar kthimin e sendeve të sekuestruara, duke pretenduar se veprimi është kryer në kundërshtim me ligjin. Ajo ka argumentuar se sekuestrimi ka prekur edhe sende që i përkasin një personi të tretë, pa bazë ligjore.

Apeli i GJKKO-së ka vendosur të ndryshojë pjesërisht vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë, duke pranuar ankimin vetëm në një pjesë të tij.

“Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtar Florjan Kalaja, sot më datë 05.02.2026, disponoi për çështjen penale nr. 40 akti, datë 27.01.2026 regjistrimi, regjistruar mbi ankimin e ankueses E.Gj:

“Ankim kundër vendimit nr. 834, datë 30.12.2025, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me objekt: Kërkesë për verifikimin e ligjshmërisë së ekzekutimit të vendimit nr. 812, datë 15.12.2025, për lejimin e kontrollit personal dhe të vendeve, përsa i përket sekuestrimit të sendeve personale të një personi të tretë, si dhe kthimin e sendeve të sekuestruara pa bazë ligjore”, duke pranuar pjesërisht ankimin e znj. E.Gj, ndryshoi vendimin nr. 834, datë 30.12.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Gjithashtu, disponoi për ndalimin e publikimit apo dekonspirimit të këtij vendimi deri në mbylljen e hetimeve paraprake, në zbatim të nenit 103 të Kodit të Procedurës Penale”,- thuhet në vendimin e GJKKO-së.

Të fundit