Flash News

DITARI POLITIK

PS zvarrit imunitetin e Ballukut, shtyhet pa afat mbledhja e Këshillit të Mandateve

PS zvarrit imunitetin e Ballukut, shtyhet pa afat mbledhja e Këshillit

Mbledhja e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, e planifikuar për t’u mbajtur ditën e sotme në orën 12:00, lidhur me shqyrtimin e imunitetit të zv.kryeministres Belinda Balluku, është shtyrë.

Vendimi është bërë publik përmes një njoftimi zyrtar. "Të nderuar anëtarë të Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetit! Ju njoftojmë me Urdhër te Kryetarit nr. 8, date 27.01.2026 shtyrjen e mbledhjes qe do te zhvillohej sot, date 28.01.2026, ora 12:00", thuhet në njoftim.

Socialistët nuk kanë pranuar të shqyrtojnë kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit e Ballukut, deri sa Gjykata Kushtetuese të dilte me një vendim.

"Deputetë anëtarë të këtij këshilli kanë kërkuar që shqyrtimi i kërkesës së Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar “për dhënie e autorizimit nga Kuvendi për arrestimin/heqjen e lirisë së deputetit/ministrit/zëvendëskryeministrit nëpërmjet zëvendësimit të masës së sigurimit”, të lidhet me marrjen dhe vlerësimin paraprak të vendimit përkatës të Gjykatës Kushtetuese", vijon njoftimi.

Kërkesa e GJKKO i hap rrugë vendosjes së një mase arresti ndaj Ballukut, pas iniciativës së ndërmarrë nga Prokuroria e Posaçme.

Ndërkohë, Gjykata Kushtetuese nuk ka marrë ende një vendim përfundimtar lidhur me pezullimin e saj nga detyra. Kryeministri Edi Rama ka kërkuar rrëzimin e vendimit të GJKKO-së për pezullimin e Ballukut, duke e cilësuar atë si ndërhyrje të pushtetit gjyqësor në ekzekutiv.

Të fundit