Flash News


E-TJERA

Kuvendi përkujton viktimat e Holokaustit, mesazhi i presidentit Begaj

Kuvendi përkujton viktimat e Holokaustit, mesazhi i presidentit Begaj

27 janari është Dita Ndërkombëtare Përkujtimore e Holokaustit, ndaj Kuvendi po zhvillon sot një seancë të posaçme në nderim të viktimave.

Kjo datë përkon me çlirimin e kampit nazist të përqendrimit Auschëitz-Birkenau më 27 janar 1945. Rreth 6 milionë u vranë gjatë Luftës së Dytë Botërore, nga nazistët dhe aleatët e tyre.

Deputetët mbajtën 1 minutë heshtje për të përkujtuar viktimat e Holokaustit. Një mesazh erdhi edhe nga presidenti Bajram Begaj, i cili vlerësoi se shqiptarët kanë qëndruar në anën e duhur të historisë.

“Roli i shqiptarëve ndaj përndjekjes së hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore është i njohur në të gjithë botën. Vendi ynë strehoi rreth 3700 hebrenj. Shqipëria ka qënë në anën e duhur të historisë për shkak të zgjedhjeve që ka bërë. Zgjedhje jo vetëm zyrtare, në formën e vendimeve, por edhe vlerave njerëzore, përmes solidaritetit.

Të gjithë e dimë se cilat ndër vlerat tona e frymëzuan këtë qasje, për ne të natyrshme, dhe që forcoi miqësinë me Izraelin: Mbështetja e dokumentuar e Shqipërisë ndaj komunitetit hebre, me legjitimimin e të drejtës së hebrenjve për të mos punuar gjatë Shabbatit.

Refuzimi i shtetit shqiptar për të dorëzuar tek nazistët listën e hebrenjve të strehuar në vendin tonë. Përpjekjet e shqiptarëve, muslimanë e të krishterë, për të fshehur dhe mbrojtur hebrenjtë, duke rrezikuar vetë jetët e tyre për t’i njësuar ata në komunitetin shqiptar.

Kemi ndërmarrë nisma në përkujtim jo vetëm të viktimave të Holokaustit, për edhe të rolit të Shqipërisë në mbështetjen e tyre ashtu edhe të miqësisë mes shqiptarëve dhe hebrenjve.

Shprehja “kurrë më” shpesh përdorur në marrëdhënie me gjenocidin, është thyer deri në ditët e sotme. Teksa dënojmë me forcë antisemitizmin, le të mos harrojmë se pavarësisht se nga vijmë, pavarësisht gjuhës që flasim apo besimit që ndjekim, ajo që na bën bashkë, është aftësia për të dashur, për të kuptuar e për të ndihmuar njëri tjetrin”, thuhet në mesazhin e Begajt.

Të fundit