Flash News

E-TJERA

Po nxirrnin nga Shqipëri 74 mijë € e dokumente false, 2 në pranga e një në kërkim

Po nxirrnin nga Shqipëri 74 mijë € e dokumente false, 2 në

Policia kufitare e Kakavijës ka gjetur të fshehura në autobusin e një agjencie udhëtimi mbi 74 mijë euro dhe 15 dokumente të ndryshme të dyshuara të falsifikuara.

Si rezultat, në kuadër të operacionit të koduar “Pa identitet” janë arrestuar drejtuesi i autobusit dhe punonjësi i agjencisë, ndërsa është shpallur në kërkim pronari i agjencisë së udhëtimit.

Më konkretisht, në pranga janë vënë shtetasit:

Andi Lami, 32 vjeç, banues në Tiranë, drejtuesi i autobusit, për veprat penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”, “Falsifikimi i dokumenteve”, “Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave ose i vizave”, të kryera në bashkëpunim dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”;

Kreshnik Gjini, 41 vjeç, banues në Tiranë, punonjës i agjencisë së udhëtimit dhe dërguesi i dokumenteve false, për veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave ose i vizave”, të kryera në bashkëpunim;

Në kërkim është shpallur shtetasi Jorgo Komata, 73 vjeç, banues në Greqi, pronari i agjencisë së udhëtimit dhe pritësi i shumës së parave, për veprën penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”, kryer në bashkëpunim dhe “Fshehja e të ardhurave”.

Gjithashtu, është proceduar penalisht në gjendje të lirë edhe shtetasi Artur Gjata, 57 vjeç, banues në Dimal, shoferi tjetër i autobusit, për veprën penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”, kryer në bashkëpunim.

 “Në dalje të Republikës së Shqipërisë, është kaluar në vijën e dytë, për kontroll të detajuar, autobusi i një agjencie udhëtimi, që drejtohej nga shtetasi Andi Lami. Nga kontrolli i imtësishëm, duke përdorur dhe qenin e Policisë, shërbimet e Policisë gjetën të fshehura në autobus, 3 zarfe brenda të cilave kishte 74 240 euro dhe 15 dokumente të ndryshme të dyshuara të falsifikuara (karta identiteti të shtetit francez, leje për qëndrim në Greqi dhe në Gjermani). Shuma e parave, dokumentet false dhe 4 celularë u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.” – njofton Policia.

 

Materialet proceduarale i janë referuar Prokurorisë së Gjirokastrës për veprime të mëtejshme.

Të fundit