Flash News

E-TJERA

Rreth 29 mijë shqiptarë u larguan vitin e kaluar, vlerëson INSTAT

Rreth 29 mijë shqiptarë u larguan vitin e kaluar, vlerëson INSTAT

Popullsia e Shqipërisë më 1 janar 2025 ra në 3.63 milionë vetë dhe ishte 27 mijë ose 1.2% më pak se sa në vitin 2024, bëhet e ditur nga vlerësimi i fundit i Institutit të Statistikave që u publikua të enjten. Ky është vlerësimi i parë pas Censit të vitit 2023 kur në Shqipëri u numëruan 2.4 milionë vetë.

“Popullsia e Shqipërisë më 1 Janar 2025 rezulton 2.363.314 banorë, duke pësuar rënie me 1,2 %, krahasuar me 1 Janar 2024,” deklaroi INSTAT në vlerësimin e vet. Shtesa natyrore e popullsisë, e cila matet si diferencë e thjeshtë mes lindjeve dhe vdekjeve, ishte 1208 vetë ndërsa migrimi neto ishte në nivelin 28.836 vetë.

Mosha medianë e popullsisë u rrit në 44.3 vjeç, që do të thotë se më shumë se gjysma e 3.63 milionë banorëve është më e madhe se sa 44 vjeç dhe gjysma tjetër, më e vogël.

Norma e varësisë së përgjithshme arriti në 57%, gjë që do të thotë se 43% e popullsisë është në moshë pune dhe asaj i duhet të kujdeset për 57% të popullsisë, ku 33% e zënë të moshuarit dhe 24% e zënë fëmijët.

“Përllogaritjet e popullsisë më 1 Janar 2025 tregojnë se vetëm qarku i Tiranës shënoi rritje të popullsisë,                       krahasuar me një vit më parë me 0,2 %. Uljet më të mëdha të popullsisë u shënuan në qarqet: Shkodër (-2,5 %) dhe Kukës (-2,3 %)”, thotë INSTAT.

Vlerësimi i përvitshëm i popullsisë nga INSTAT merr parasysh të dhënat administrative të disponueshme si lindjet dhe vdekjet si dhe vlerësime për ecurinë e migrimit apo emigrimit. Në të shkuarën, INSTAT ka pasur supozuar një ecuri pothuajse të balancuar mes të dy faktorëve, gjë që supozohej se e mbante popullsinë pothuajse konstante në nivelin e rreth 2.8 milionë banorëve.

Censi i vitit 2023 zbuloi se vlerësimi kishte qenë tepër optimist pasi mesatarisht përgjatë dymbëdhjetë viteve nga Censusi 2011 në Censin 2023, rreth 500 mijë ishte emigrimi neto, ku pak më shumë se 600 mijë ishin larguar dhe pak më shumë se 100 mijë ishin kthyer. Diferenca neto rezulton 40 mijë vetë në vit, shifër kjo më e lartë se sa vlerësimi i fundit i INSTAT për largime neto prej afro 29 mijë vetësh gjatë vitit 2024. Reporter.al

Të fundit