Flash News

E-TJERA

Rritet anemia në popullatë

Rritet anemia në popullatë

Ashtu si në rang global, edhe në Shqipëri po rritet prevalenca e anemisë në popullatë. Afro gjysma e fëmijëve deri në 6 vjeç në Shqipëri kanë nga anemia e fituar, apo e thënë ndryshe, mungesa e hekurit. Me këtë problematikë po përballen edhe vajzat e reja dhe një në tre gra në moshë riprodhuese.

“Të dhënat tona janë të krahasueshme me të dhënat globale. Në studime të pilotuara është vënë re se në moshën e fëmijërisë së hershme, deri në moshën e fillimit të shkollës, 40–50% e fëmijëve janë anemikë – por me anemi të lehtë deri diku të moderuar. Dikur kemi pasur më shumë raste me anemi të rëndë. Edhe adoleshentet janë më të prekura nga anemia për shkak të mungesës së hekurit”, tha Manika Face Kreka, mjeke në Shërbimin e Onkohematologjisë, QSUT.

Kequshqyerja dhe virozat janë faktorët që ndikojnë më së shumti në përkeqësimin e anemisë.

“Fëmijët po profilizohen drejt ushqimeve të gatshme dhe çdo infeksion apo virozë që kalojnë, e thellon më tej aneminë”, tha mjekja.

Anemia shoqërohet me simptoma të tilla si lodhje, dobësi, marramendje dhe vështirësi në frymëmarrje.

“Një fëmijë me anemi është më i plogësht, më agresiv, i papërqendruar”, u shpreh mjekja.

Sipas OBSH-së, anemia ndikon në performancën shkollore të fëmijëve dhe në produktivitetin në jetën e të rriturve, duke sjellë humbje ekonomike për familjet./tvklan

Të fundit