Flash News

E-TJERA

Shqiptari humb jetën në aksident me motor në Itali

Shqiptari humb jetën në aksident me motor në Itali

Një shqiptar ka humbur jetën në një aksident tragjik mbrëmjen e djeshme, më 2 maj, rreth orës 20:30, në komunën e Concordia Sagittaria, në provincën e Venezia-s, Itali.

Viktima është identifikuar si Artur Çela, rreth 50 vjeç, me origjinë nga Tirana, i cili prej më shumë se dy dekadash jetonte bashkë me familjen në Itali. Ai punonte në sektorin e ndërtimit dhe ishte i njohur si një qytetar i integruar dhe i përkushtuar ndaj punës.

Sipas mediave italiane, aksidenti ndodhi ndërsa Çela po udhëtonte me motor dhe u përplas me një makinë në rrethana që ende po hetohen. Në vendngjarje mbërritën menjëherë zjarrfikësit dhe ekipet e urgjencës, por për fat të keq, ishte tepër vonë për të shpëtuar jetën e tij.

Dyshimet paraprake flasin për një parakalim të gabuar të motoristit si shkak i mundshëm i aksidentit, por kjo pritet të konfirmohet nga hetimet në vijim. Personat që ndodheshin në automjetin tjetër kanë shpëtuar pa lëndime serioze.

Vdekja e Artur Çelës ka tronditur komunitetin shqiptar në zonë, ndërsa autoritetet italiane po vijojnë hetimet për të zbardhur plotësisht dinamikën e ngjarjes.

Të fundit