Flash News

E-TJERA

TikTok hapet në Shqipëri pas një viti 'pezullim'

TikTok hapet në Shqipëri pas një viti 'pezullim'

Pas një viti pezullimi formal, qeveria ka vendosur të tërhiqet në heshtje nga vendimi për mbylljen e TikTok në Shqipëri, duke pranuar de facto dështimin e një mase të shpallur si “mbrojtje ndaj të rinjve”, por që u interpretua gjerësisht si frikë politike.

Me vendim të marrë këtë të mërkurë në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, është shfuqizuar vendimi nr.151, datë 6.3.2025, i cili parashikonte masa të përkohshme për kufizimin e platformës “TikTok”.

“Vendimi nr.151, datë 6.3.2025, i Këshillit të Ministrave, ‘Për marrjen e masave të përkohshme për shmangien e ndikimeve negative të platformës on-line TikTok’, shfuqizohet”, thuhet në vendimin zyrtar.

Në praktikë, kjo do të thotë se aplikacioni është rihapur zyrtarisht në Shqipëri, pa asnjë shpjegim publik mbi efektivitetin apo arsyet reale të dështimit të ndalimit njëvjeçar. Në fakt, TikTok nuk u mbyll asnjëherë plotësisht, pasi përdoruesit e qasën platformën lehtësisht përmes VPN-ve, duke treguar se vendimi i qeverisë ishte thjesht simbolik.

TikTok u pezullua më 6 mars të vitit të kaluar, në kulmin e një fushate intensive qeveritare në rrjetet sociale dhe në një moment kur platforma po shndërrohej në hapësirë të fortë mobilizimi politik, veçanërisht në Tiranë. Kritikat e asaj kohe e cilësuan vendimin si një akt frike të kryeministrit Edi Rama përballë zgjedhjeve dhe humbjes së kontrollit mbi diskursin publik online.

Gjatë gjithë periudhës së bllokimit, qeveria nuk publikoi asnjë raport, analizë apo të dhëna konkrete që të provonin se masa kishte sjellë përmirësim në sigurinë digjitale apo mbrojtjen e të rinjve. Përkundrazi, përdoruesit e anashkaluan bllokimin brenda pak minutash, duke ekspozuar pafuqinë e institucioneve shtetërore për të kontrolluar realisht hapësirën online.

Të fundit