Flash News

E-TJERA

Vendimi i plotë i Kuvendit për përjashtimin e 3 deputetëve të PD: Korreshi i mori flakadanët në çantat e dy zonjave deputete

Vendimi i plotë i Kuvendit për përjashtimin e 3 deputetëve

Mazhoranca ka përjashtuar me 10 ditë nga seancat plenare të Kuvendit tre deputetë të opozitës. Saimir Korreshi, Elda Hoti dhe Lindita Metaliaj janë përjshtuar pasi sipas PS, ndezën tymuese në sallën e Kuvendit në seancën e së enjtes.

Sipas vendimit të Sekretariatit të Etikës, thuhet se nga pamjet filmike rezulton se Saimir Koreshi , i ka marrë flakadanët që i ndezi në Kuvend nga çantat e dy kolegeve të tij deputete.

Vendimi i plotë:

7 deputetët e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste në kërkesën e tyre për marrjen e masës disiplinore ndaj deputetëve Saimir Koreshi, Elda Hoti dhe Lindita Metaliaj lidhur me situatën e krijuar në seancën plenare të datës 09.11.2023, parashtrojnë se deputetët e opozitës me sjelljet e tyre në thyerje të rëndë të Rregullores së Kuvendit dhe te Kodit te Sjelljes së Deputetit të Kuvendit të Shqipërisë, kryen veprime për të penguar zhvillimin normal të seancës plenare duke futur dhe përdorur lëndë piroteknike (flakadanë) në sallën e Parlamentit.

Sekretariati diskutoi shkeljet e pretenduara bazuar në pamjet filmike të sallës së seancës plenare të datës 09.11.2023.

Sekretariati për Procedurat. Votimet dhe Etikën, në vlerësim të sa parashtrohet në kërkesën e 7 deputetëve, dhe pamjeve filmike që mori në shqyrtim dhe pas diskutimeve, vlerëson se kërkesa për marrjen e masave disiplinore ndaj tre deputetëve të opozitës është e drejtë dhe duhet pranuar.

Nga pamjet filmike rezulton se deputeti Saimir Koreshi ka përdorur flakadané tymues gjatë zhvillimit të seancës plenare; pretendohet se deputetet Lindita Metaliaj dhe Elda Hoti kanë futur në sallën e seancave plenare flakadanet tymues që i mbanin në cantat personale. Rezulton nga pamjet filmike se Saimir Koreshi flakadanët i merr në dy canta zonjash, (njëra ngjan në ngjyrë gri dhe tjetra në ngjyrë kafe) të vendosura në tryezat e deputetëve të krahut të opozitës në sallën e seancave plenare, dhe më pas i përdor këta flakadanë; tymi i flakadanëve përhapet rreth tij dhe në sallën e Kuvendit. Nga fotot që shoqërojnë kërkesën duket se dy çantat ku deputeti Saimir Koreshi merr flakadanët, i mbajnë dy koleget deputete ndaj të cilave kërkohet masë disiplinore (foto në hyrje të sallës së seancës plenare, bashkangjitur kerkeses). Këto veprime vijnë në shkelje të Rregullores së Kuvendit dhe Kodit të sjelljes dhe kanë penguar zhvillimin normal të seancës plenare.

Për këtë arsye, sekretariati vlerëson se deputetët ndaj të cilëve kërkohet masa disiplinore kanë shkelur detyrimet e nenit 65/1, pika 1, germa a) të Rregullores së Kuvendit, pasi kanë kryer veprime që pengojnë zhvillimin e rregullt të seancës plenare si dhe nuk kanë respektuar nenin 3, gërma dh) dhe e), neni 8, pika 2 germa b) të Kodit Etik – Rregullat e Sjelljes në Kuvend,

Në fakt nga pamjet filmike të seancës plenare rezulton se që në nisje të seancës karriget e deputetëve janë hequr dhe me to është krijuar një barrikadë që pengon kalimin e deputetëve në foltore. Këto situata të ripërsëritura për bllokimin e veprimtarisë parlamentare janë anormale dhe pengojnë jo vetëm zhvillimin normal të seancës në shkelje të çdo norme të etikës parlamentare, por cënojnë dhe të drejtën e fjalës së deputetëve dhe ushtrimin normal të funksioneve kushtetuese në sallën plenare. Funksionimi normal i seancës plenare të Kuvendit prevalon mbi të drejtat e deputetëve, kur sjelljet e tyre vijnë në kundërshtim me Rregulloren dhe normat e Kodin e Sjelljes.

Sa më sipër Sekretariati për Procedurat, Votimet dhe Etikën në zbatim të nenit 10/2, pika 2 dhe 5, nenit 63, pika 1, gërma d), nenit 65/1, pika 1, gërma a) dhe nenit 65/2 të Rregullores së Kuvendit dhe neni 8 të Kodit të Sjelljes së Deputetit, me unanimitet

VENDOSI:

Marrjen e masës disiplinore “Përjashtim nga pjesëmarrja në komisione dhe në seancë plenare për 10 (dhjetë) ditë” për secilin nga deputetët Saimir Koreshi, Elda Hoti dhe Lindita Metaliaj, duke filluar nga data 13.11.2023 deri më datë 22.11.2023.

Ngarkohet “Shërbimi i Sigurisë në Kuvend” dhe Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit për zbatimin e këtij vendimi gjatë veprimtarisë parlamentare në Kryesinë e Kuvendit dhe në sallën e seancës plenare të Kuvendit.

Ky vendim mund të ankimohet nga deputeti brenda 2 (dy) ditëve pranë Byrosë së Kuvendit.

 

 

Të fundit