Flash News

KRYESORE

‘Eyes of Tirana’, pagëzohet kulla e re në qendër të Tiranës

‘Eyes of Tirana’, pagëzohet kulla e re në qendër

Vitin që vjen do të nisë ndërtimi i kullave shumëkatëshe që do të dominojnë qendrën e Tiranës. Përveç hotelit 35 katesh që do të jetë një zgjerim i hotel Tiranës (sot 15 katëshit) dhe kullës “Al Habtoor Investment LLC  (kulla Ikonike) në bulevardin e ri, kullës me 40 kate  (DownTown Albania) në zonën e parkut të lodrave në  rrugën e Elbasanit, tashmë është gati të nisë ndërtimi i një tjetër kulle shumëkatëshe në qendër të Tiranës (atje ku ndodhet sot Dhoma e Tregtisë Tiranë) e cilësuar “Eyes of Tirana”.

“Eyes of Tirana” është projektuar si një ndërtesë e madhe, 26 kate e lartë dhe do të zhvillohet nga kompania Edil-Al. Të dhënat nga projekti bëjnë me dije se propozimi përbëhet nga tre pjesë të godinës që do të përmbajnë apartamente, zyra dhe dyqane që arrijnë në total në 55.444 m2. Punimet për ndërtimin e kullës do të nisin vitin tjetër sipas planifikimit që ka bërë zhvilluesi i projektit, Edil-Al, raporton Monitor.

“Eyes of Tirana” është planifikuar të ndërtohet në qendër të kryeqytetit, ndërmjet rrugës së Durrësit dhe asaj të Kavajës , aty ku sot ndodhet selia e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë. Kulla është pjesë e Masterplanit për Tiranën. Projekti është vepër e studios daneze Henning Larsen. Maja e kullës, që hapet si lule, dhe atriumet kanë pamjen e një syri, nga ku objekti ka marrë edhe emrin.

Ndërtuesit thonë se në Tiranë pritet të ngrihen të paktën 15 kulla. Urbanistët sqarojnë se plani synon në ndërtimin e disa kullave deri në 40 kate nga qendra përgjatë zonës së Bulevardit të Ri deri te Parku i Liqenit.

Së fundmi, qeveria ka miratuar një projektligj i cili synon negocimin e një kontrate investimi prej 250 milionë dollarësh nga një kompani private nga Dubai, e cila ka shprehur interes për ndërtimin e një kulle në zgjatimin e bulevardit të ri të Tiranës. Investitori është “Al Habtoor investment LLC”, kurse projekti “Kulla ikonike e Tiranës”.

Të fundit