Flash News

KRYESORE

'Fshije  lajmin ose të hoqa reklamën': Ekspertja e PR-it kundër zëdhënësit të spitalit Continental  

'Fshije  lajmin ose të hoqa reklamën': Ekspertja e

Një eksperte e PR-it (Marrdhënieve me publikun) në një kompani private, duke zgjedhur të mos identifikohet, ka reaguar ndaj qëndrimit të zëdhënësit të spitalit Continental të pasqyruar edhe nga Politiko.al. Edian Gjoni pretendonte se gazetarët i kishin kërkuar para që ta 'fshihnin' lajmin për vdekjen e 15 vjeçares Blerta Pepa.

"Ne, njerëzit e PR-it duhet të kemi parasysh diçka: këtë shantazhin, më jep lekë ose përndryshe të nxora emrin, ua kemi mësuar ne medieve...versioni ynë është “hiqe emrin tim nga lajmi, ose ta hoqa reklamën”, thotë ekspertja.

Ajo jep edhe një guidë të shkurtër të hapave që duhet të bëjë një person përgjegjës për PR-in në rast të një krize apo skandali në kompaninë që mbulon:

Hapi i parë: planifikimi i komunikimit. Suksesi i komunikimit në rast krize varet, gati tërësisht, nga përgatitjet që organizata bën para “plasjes së bombës.” Në strategjinë e komunikimit që përgatitet nga departamenti i komunikimit të organizatës, zakonisht në fillimit të vitit, caktohen personat që do të flasin me median, aksionerët dhe parterët, në rast krize; bëhet trajnimi i tyre, dhe përgatiten ato që quhen “mesazheve të para” (holding statements), që janë mesazhe transparence/sqaruese, si për publikun e gjerë,por edhe për personat ku organizata jep llogari (psh. ligjvënësit, aksionerët, partnerët, etj).  Në rastin e Spitalit Continental “mesazhi i parë” mund të ishte:  Me dhimbje të thellë konfirmojmë humbjen tragjike të pacientes sonë B. P. Shprehim ngushëllimet tona të sinqerta familjes dhe miqve të saj. Spitali Continental është duke bashkëpunuar me organet kompetente për zbardhjen sa më parë të kësaj ngjarje.  Ne, sapo të jetë e mundur, do të ndajmë me publikun më shumë informacion mbi këtë ngjarje të dhimbshme. 

“Mesazhi i parë” i tregon publikut që organizata është e hapur dhe nuk ka asgjë për të fshehur, por në të njëjtën kohë edhe i blen kohë organizatës për të vlerësuar situatën dhe për t’u përgatitur për atë çka vjen më vonë.

 Faza e dytë është kur kriza ndodh. Nga pikëpamja e komunikimit janë disa gjëra që organizata nuk mund t’i bëjë në rastin e përballjes me një krizë, ose më saktë, mund t’i bëjë por do t’i duhet të përballet me pasojat, të cilat mund ta përkeqësojnë situatën. Mes këtyre do të rendisja: refuzimin për koment, mohimin e ngjarjes, shpërndaja e informacionit të rremë, etj. Organizata në fjalë nuk u prononcua për medien deri nga pasditja, ndërkohë që lajmi kishte marrë dhenë, në disa versione, dhe opinioni publik kishte filluar t’i bënte gjyqin, doktorit më shumë dhe spitalit më pak. Në kohët e sotme, një postim në Facebook i “mesazhit të parë” do t’i kishte shpëtuar shumë dhimbje koke organizatës. (deri në orën 18:40, kur ky tekst po shkruhej te faqja ne FB e kompanisë në fjalë nuk kishte asgjë për ngjarjen e rëndë)

Faza e tretë, pasi kriza ka kaluar, fokusohet te një vlerësim i situatës: çfarë ndodhi, a mund të evitohej, çfarë masash mund të marrim që kjo gjë të mos përsëritet, a ishim në gjendje që të përçonim mesazhin tonë te publiku, a mundëm ta kufizonim dëmin e imazhit, e kështu me radhë. Një gjë që nuk këshillohet të bëhet pas kalimit të krizës, është sulmimi i medias. Qëllimi i medias, dhe i gazetarit, është që të sjelli lajmin te publiku. Është detyra e departamentit të komunikimit të një organizate që të kujdeset që gazetari të ketë informacionin e nevojshëm për ndërtimin e një lajmi, që në mos pozitiv të paktën të mos jetë 100% nxirës për organizatën. Gjithashtu, është detyra e departamentit të komunikimit të organizatës të sigurohet që gazetari e ka edhe versionin e organizatës mbi ngjarjen; ata e kontaktojnë gazetarin, dhe nuk presin që të kontaktohen nga gazetari për të dhënë versionin  e tyreë.  Dhe e fundit, nëse ka media, apo gazetar/e, që përpiqen të shantazhojnë për qëllime përfitimi, reagimi i duhur nuk është një shfryrje kundra të gjithë medieve, dhe gazetarëve, por....nuk e di cila është zgjidhja e duhur, sepse kjo varet nga organizata dhe rregullorja e tyre, por opsionet janë të shumta, që nga “nuk pashë gjë, s’dëgjova gjë”, e deri te përballja në gjykatë apo edhe para publikut, por me fakte. Por, ne PIARistat duhet të kemi parasysh diçka: këtë shantazhin, më jep lekë ose përndryshe të nxora emrin, ua kemi mësuar ne medieve...versioni ynë është “hiqe emrin tim nga lajmi, ose ta hoqa reklamën.”

Të fundit