Flash News

KRYESORE

Gati protesta e radhës; kjo është data kur opozita do synojë rrëzimin e qeverisë së Edi Ramës

Opozita e bashkuar ka paralajmëruar se nuk do të ndalë protestat deri në rrëzimin e kryeministrit Edi Rama dhe krijimin e një qeverie antimafie.

Pas protestës masive në bulevardin “Dëshmorët e Kombit më 27 janar, ende nuk ka zyrtarisht një datë se kur do të zhvillohet protesta e radhës.

Por burime brenda frontit opozitar bëjnë me dije për ‘Gazetën Shqiptare’ se është në diskutim që protesta e radhës të zhvillohet më 20 shkurt, ditën e rrëzimit të bustit të diktatorit Hoxha.

Burimet sqarojnë se protesta e fundit që sipas opozitës do të çojë në arritjen e qëllimit, largimin e qeverisë, pritet të jetë data 22 mars, datë e cila përkon me 26-vjetorin e fitores së PD-së në zgjedhjet e 22 marsit 1992.

Gjithsesi, krerët e opozitës së bashkuar janë ende në diskutim për vendosjen e datave se kur do të rinisin protestat kundër qeverisë. Liderët e opozitës së bashkuar synojnë të tjera protesta masive me pjesëmarrjen edhe më të madhe se ajo e 27 janarit. Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha deklaroi një ditë pas 27 janarit se protesta e opozitës e një dite më parë ishte “betejë madhështore e fituar e shqiptarëve”.

“Shqiptarët u bashkuan për të refuzuar padrejtësinë dhe për t’ju bashkuar kauzës sonë popullore”, u shpreh Basha. Kreu i PD-së shtoi: “Lufta jonë vazhdon çdo ditë për të fituar këtë kauzë, pa të cilën nuk mund të ketë Shqipëri europiane”. Sipas Bashës, “shqiptarët e bashkuar në protestë dhanë një mesazh shprese se Shqipëria mund dhe do të bëhet vend me drejtësi dhe mundësi për të gjithë”.

Ndërsa deputetëve demokratë kryetari Lulzim Basha u ka kërkuar që në çdo seancë plenare dhe në mbledhjet e komisioneve duhet të mbahet fryma e protestës së 27 janarit. Basha gjithashtu u ka kërkuar deputetëve të zhvillojnë një luftë të fortë, duke denoncuar çdo shkelje që bëhet nga qeveria shqiptare ndaj Kushtetutës së vendit dhe qytetarëve.

Pikërisht në seancën plenare të së enjtes, opozita parlamentare protestoi brenda dhe jashtë parlamentit duke bllokuar seancën plenare dhe miratimin e ligjeve. Për afro 4 orë u vunë re debate dhe akuza të ashpra mes palëve deri dhe përplasja e bidonëve të ujit mbi tavolina.

Të fundit