Flash News

Kosova

Arrestohet i dyshuari për masakrën e 34 shqiptarëve në Malishevë gjatë luftës në Kosovë

Arrestohet i dyshuari për masakrën e 34 shqiptarëve në

Policia e Kosovës ka arrestuar të martën një person, nën dyshimin për pjesëmarrje në masakrimin e 34 civilëve shqiptarë në fshatin Burim të Malishevës në fund të marsit të 1999-s.

Personi i cili u arrestua në Prishtinë dyshohet për veprën penale “krim lufte kundër popullatës civile”

 “R.M., dyshohet se gjatë luftës në Kosovë, në periudhën 29-31 mars 1999, në bashkëkryerje me pjesëtarë të forcave policore dhe ushtarake serbe, ka marrë pjesë në masakrën e 34 civilëve shqiptarë në fshatin Burim, Komuna e Malishevës”, thuhet në një njoftim të përbashkët të Prokurorisë Speciale dhe Policisë së Kosovës.

Sipas njoftimit, gjatë hetimeve janë siguruar prova materiale, përfshirë dëshmi të dëshmitarëve okularë dhe të të mbijetuarve.

Në Burim (Joviq) të Malishevës, më 31 mars 1999 janë vrarë 34 shqiptarë, kufomat e të cilëve janë masakruar. Viktimat ishin nga mosha 16 – 72 vjeç.

Komunikatë e Përbashkët nga PSRK dhe Policia e Kosovës

ARRESTOHET NJË PERSON NËN DYSHIMET PËR KRIME LUFTE

Prishtinë, 12 Gusht 2025 – Me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Policia e Kosovës, përkatësisht hetuesit nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Luftës, në mëngjesin e së martës kanë arrestuar personin me inicialet R.M., nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Krim lufte kundër popullatës civile”.

I dyshuari R.M., është arrestuar në Prishtinë.

R.M., dyshohet se gjatë luftës në Kosovë, në periudhën 29-31 mars 1999, në bashkëkryerje me pjesëtarë të forcave policore dhe ushtarake serbe, ka marrë pjesë në masakrën e 34 civilëve shqiptarë në fshatin Burim, Komuna e Malishevës.

Gjatë fazës së hetimeve janë siguruar prova materiale, përfshirë dëshmi të dëshmitarëve okularë dhe të mbijetuarve.

Brenda afatit të paraparë ligjor, Prokuroria Speciale do të paraqesë kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit në Gjykatën Themelore të Prishtinës, Departamenti Special.

Të fundit