Flash News

Kosova

Kosova zbërthen rrjetin e drogës me Sky ECC, 22 të arrestuar

Kosova zbërthen rrjetin e drogës me Sky ECC, 22 të arrestuar

Një operacion i madh antidrogë i koduar “Qielli i Thyer” është zhvilluar të martën në Kosovë, duke çuar në arrestimin e 22 personave të dyshuar si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal që merrej me trafik droge dhe pastrim parash.

Aksioni u zhvillua në 47 lokacione të ndryshme në Prishtinë, Prizren, Pejë dhe Gjilan, me mbi 600 efektivë të Policisë së Kosovës të angazhuar në terren. Operacioni u zhvillua me urdhër të Gjykatës Themelore në Prishtinë, me kërkesë të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, dhe është rezultat i hetimeve disa mujore të zhvilluara në bashkëpunim me Drejtorinë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë.

Sipas Prokurorisë, të arrestuarit dyshohet se komunikonin përmes aplikacionit të koduar Sky ECC, i përdorur gjerësisht nga rrjete kriminale ndërkombëtare. Nga kontrollet janë sekuestruar prova të shumta, përfshirë:

Lëndë narkotike
129 automjete
Rreth 135 mijë euro para të gatshme
20.040 franga zvicerane
490 dollarë amerikanë
13 mijë euro të falsifikuara
9 orë luksoze
36 armë zjarri dhe rreth 1500 fishekë
Pajisje për paketimin e drogës
Dokumentacion elektronik
Gjithashtu, janë bllokuar pasuri të tundshme dhe të patundshme, përfshirë ngrirjen e llogarive bankare me vlerë 400 mijë euro dhe ndalimin e përdorimit të disa pronave.

Operacioni është mbështetur nga autoritetet belge, holandeze dhe Europol, ndërsa është drejtuar nga një prokuror i Prokurorisë Speciale i cili ka qenë i pranishëm gjatë zbatimit të urdhrave të kontrollit.

Institucionet e drejtësisë kanë bërë të ditur se ky është vetëm fillimi i një vale të re goditjesh ndaj grupeve kriminale në Kosovë dhe rajon, me qëllim çmontimin e rrjeteve të organizuara dhe vënien përpara drejtësisë të të gjithë përgjegjësve.

Të fundit