Flash News

Kosova

Osmani: Serbia është burim i destabilizimit të Kosovës

Osmani: Serbia është burim i destabilizimit të Kosovës

Udhëheqësit e Kosovës akuzuan të shtunën Serbinë se po përpiqet të destabilizojë Kosovën, pas vendimit të përfaqësuesve politikë të serbëve të Kosovës që të largohen nga institucionet qendrore e lokale.

Në një njoftim për shtyp, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha të shtunën se largimi i tyre është akt kundër demokracisë dhe sundimit të rendit e ligjit.

“Ky veprim i nxitur nga Serbia, vërteton edhe njëherë atë që e kemi thënë shumë herë, se Serbia është burim i destabilizimit të Kosovës dhe rajonit për shkak të synimeve të saj territoriale dhe hegjemoniste”, tha Presidentja Osmani duke nënvizuar se zbatimi i rendit dhe ligjit nuk përbën kërcënim për asnjë qytetar të Kosovës, pa dallim përkatësie etnike.

“Por, vendosja e rendit dhe ligjit përbën rrezik për strukturat ilegale të dirigjuara nga Beogradi të cilat synojnë destabilizimin e Kosovës dhe rajonit. Veprimi i sotëm i Serbisë, paraqet tërheqje të saj të njëanshme nga marrëveshjet e Brukselit për shuarjen e strukturave ilegale të saj në Kosovë”, tha ajo duke akuzuar Beogradin për lidhje të ngushta me Kremlinin.

Në një postim në rrjete sociale, Kryeministri Kurti përmendi takimet e Presidentit serb Aleksandër Vuçiç me ambasadorin rus në Beograd, ndërsa akuzoi këtë të fundit se po bëhet, siç tha ai, vegël e Kremlinit.

“Është e qartë se për çfarë bëhet fjalë: presidenti i Serbisë ka gënjyer dhe ka zhgënjyer amerikanët dhe evropianët; ai shumë shpesh takon dhe koordinohet me ambasadorin rus në Beograd”, tha Kryeministri Kurti.

Ai u bëri thirrje qytetarëve serbë në Kosovë që të ruajnë qetësinë, paqen, sigurinë dhe të mos i brakstisin institucionet e Kosovës duke rënë pre e siç tha manipulimeve politike dhe lojërave gjeopolitike.

“Unë nuk jam kryeministër kundër juve, por Beogradi është kundër meje. Unë jam kryeministër që do t’ju shërbej duke respektuar kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë e Republikës së Kosovës”, tha ai./ REL

Të fundit