Flash News

KRYESORE

Në tre ditë mbyllen tre call center-a në Shqipëri, sektori drejt falimentimit?

Në tre ditë mbyllen tre call center-a në Shqipëri, sektori

Mbijetesa e Call Center-ave në Shqipëri po bëhet më e vështirë, sidomos për ato që ende mbeten të pakonsoliduara në treg apo që kanë një aktivitet modest krahasuar me “të mëdhenjtë”. Vetëm në tre ditët e fundit të qershorit janë tre kompani që kanë deklaruar mbyllje të aktivitetit, duke iu shtuar listës së atyre që mbyllën aktivitetin në fillim të muajit.

E para është Capital Market e hapur në vitin 2014 e orientuar në shërbimin call center dhe konsulencë, e cila ka nisur procedurat e likuidimit. Vetëm gjatë vitit 2015 kompania raportoi një qarkullim vjetor prej rreth 26 milionë lekë (200 mijë euro), sipas bilancit zyrtar. Shpenzimet për paga e sigurime të kompanisë, ishin 15 milionë lekë, apo rreth 62% e totalit të shpenzimeve, teksa call center janë një sektor me kapital intensiv të punës. Ndonëse në vitin e parë të aktivitetit, kompania ka rezultuar fitimprurëse me një fitim para taksave prej 2 milionë lekë, apo një marzh fitimi prej 8%.

Dy kompanitë e tjera janë Sistema Cliente dhe Bussines Global Support të dyja të hapura vitin e kaluar respektivisht në mars dhe qershor me objekt të tyre ofrimin e konsulencës dhe shërbimin call center. Për vetë faktin që afati i operimit në treg është i shkurtër kompanitë nuk kanë të deklaruar situatën e tyre financiare.

Mbyllja e Call Center në Shqipëri po kthehet në një normalitet kohëve të fundit ku në mes të qershorit një tjetër kompani deklaroi mbylljen. 

Deri në fund të vitit të kaluar, call center ishin një biznes që po rritej me shpejtësi, teksa kompanitë italiane po e zhvendosnin këtë aktivitet në Shqipëri, duke shfrytëzuar koston e lirë të fuqisë punëtore dhe njohjen e gjuhës italianë nga të rinjtë.

Kjo rritje e shpejtë, alarmoi autoritetet italiane, të cilat u gjendën nën presionin e humbjes së vendeve të punës në Itali dhe zhvendosjen e tyre në Shqipëri dhe filluan marrjen e masave drastike.

Nisma e Italisë për delokalizimin alarmoi kompanitë Call Center në Shqipëri të cilat penalizoheshin për shkak se operonin në një vend që nuk është pjesë e Bashkimit Europian. Jo në pak raste u ngrit shqetësimi i falimentit dhe riskut të humbjes së mijëra vendeve të punës. Qeveria në atë kohë pati një reagim të zbehtë përmes një shkrese drejtuar palës italiane por që nuk arriti të merrte ndonjë përgjigje pozitive.

Nga ana tjetër operatorët e tregut deklaruan se kompanitë mëmë po merrnin masa për të zhvendosur një pjesë të aktivitetit në vende të tjera në rajon si Rumania apo Bullgaria.

Sektori

Në total, në sektor në Shqipëri ka rreth 800 kompani, me rreth 25 mijë të punësuar, sipas të dhënave zyrtare. Por, të dhënat e punëdhënësve më të mëdhenj tregojnë se janë 6-7 kompani kryesore, që kanë së bashku rreth 10 mijë të punësuar. Sipërmarrjet e mëdha vlerësohet se do të arrijnë t’i bëjnë ballë presionit italian dhe do të diversifikohen, ndërsa më të vështirë do ta kenë të voglat. Edhe përpara se qeveria italiane të miratonte sanksionet në dhjetor të vitit të kaluar, sektori kishte shfaqur probleme. Norma e fitimeve ka rënë, të mëdhenjtë nuk po rriten më dhe sipërmarrjet e vogla, sidomos ato me pronarë shqiptarë, përballen me largime të kontraktorëve ose mospagesa nga ana e tyre. Ka raste që investitorë italianë vijnë dhe hapin dy tre call center dhe i mbyllin brenda një kohe të shkurtër. (Monitor)

Të fundit