Flash News

KRYESORE

Nisin shkarkimet /Kush është “kurbani” i parë i ligjit për dekriminalizimin

Nisin shkarkimet /Kush është “kurbani” i parë i

Ligji “për dekriminalizimin” nis të japë “fryte” në sallat e gjykatave në vend me zyrtarin e parë të dënuar. Gjykata e Tiranës ka shpallur vendimin e parë penal kundër një zyrtari të administratës shtetërore, i dërguar në gjyq me akuzën e falsifikimit të formularëve të dekriminalizimit. Vendimi në fjalë është shpallur më 23 qershor 2017. I pandehur në këtë proces ka qenë L. Z., inspektor në Drejtorinë Rajonale të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, Tiranë.

Sipas gjykatës, zyrtari nuk ka pasqyruar në formularin e vetëdeklarimit një dënim me gjobë të marrë nga Gjykata e Tiranës, 13 vjet më parë. Për këtë shkak, L. Z. është shpallur fajtor për akuzën e “falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”. Ai është dënuar me 6 muaj burg. Shqyrtimi gjyqësor ndaj tij është zhvilluar me procedurën e gjykimit të shkurtuar dhe për këtë shkak masa e dënimit është ulur në 4 muaj burg. Gjatë gjykimit, i pandehuri ka pohuar që nuk e dinte se ishte dënim, por gjobë. “Jam bërë pishman që nuk e kam deklaruar”, ka pretenduar ai. Inspektori i AKU­së nuk do të shkojë në qeli, për shkak se përfundimisht Gjykata ka vendosur pezullimin e ekzekutimit të dënimit me burg, duke e lënë në Shërbim Prove.

“Urdhërohet pezullimi i dënimit me burgim, duke e vënë në provë të pandehurin L. Z. për një periudhë kohe prej 8 muajsh, me kusht që gjatë kësaj kohe i pandehuri të mos kryejë vepër tjetër penale”, thuhej në vendimin e gjykatës. Referuar vendimit, referimi penal për të pandehurin L. Z. është bërë nga Sektori i Verifikimit të Integritetit pranë Prokurorisë së Përgjithshme.

Sipas këtij referimi, inspektori i AKUsë, në formularin e vetëdeklarimit, në zbatim të ligjit “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, i njohur si ligji për dekriminalizimin, ka deklaruar të dhëna të rreme lidhur me të kaluarën kriminale. Gjatë procesit paraprak të verifikimit është konstatuar fakti se i pandehuri ka një vendim penal nga Gjykata e Tiranës.

Nga informacioni zyrtar përcjellë nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka rezultuar se ai ka pasur një dënim me 100 mijë lekë gjobë nga Gjykata e Tiranës, në vitin 2004. Ai ishte fajësuar për akuzën e “shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor”.

Për shkak të gjykimit të shkurtuar, përfundimisht ishte gjobitur me 66.6 mijë lekë. Sipas gjykatës, pavarësisht këtij fakti, në formularin e vetëdeklarimit i pandehuri i është përgjigjur “Jo” pyetjes, nëse ishte dënuar ndonjëherë me vendim të formës së prerë nga gjykatat shqiptare apo të huaja./Panorama

 

 

Të fundit