Flash News

OP-ED

Bashkimi që zhbën pafuqinë (dhe armiqtë e tij)

Bashkimi që zhbën pafuqinë (dhe armiqtë e tij)

Alfred Lela

Gazment Bardhi me orbitën e deputetëve mbështetës, pas 2 vitesh e kanë riquajtur shtëpi selinë qendore të Partisë Demokratike, duke e zhvilluar aty mbledhjen e grupit parlamentar, bashkë me kolegët e “Rithemelimit”. Pas bashkimit në parlament, lëvizja e djeshme certifikoi përfundimisht se cila është Partia Demokratike reale, dhe kush e mban peshën dhe tagrin e negociatës në emër të popullit demokrat.

Bashkimi nuk u prit mirë gjithandej dhe kjo, në fakt, është një favor që i bëhet diskurit publik dhe të kuptuarit të tij. Sepse, shumë ide mund të kuptohen më mirë duke parë se kush i sulmon, se sa kush i mbron.

Sulmuesit e bashkimit dhe idesë së tij kanë qenë, që në fillim, ashtu dhe dje, të njëjtët. Janë të rreshtuar të gjithë me Ramën dhe prej 2 vjetësh edhe me Lulzim Bashën. Deri para 9 shtatorit 2021 të gjithë ishin kundër Bashës kryetar i PD dhe, sapo ky bëri një akt që rezultoi se do ishte minues i fateve të opozitës, këta menjëherë u bënë me të. Pra, e kishin problemin me Bashën si kryetar i PD, jo si rrënues i saj. Kjo e fundit e bënte atë për ta “një çun të mirë me të cilin mund të punohet”.

Kundërvënia, që këta personazhe të analizës së majtë apo të tjerë që këtu do t’i quaj DINO (democrats in name only-demokratë vetëm në emër) tregon si asgjë tjetër se bashkimi i djeshëm ka qenë gjëja e duhur, dhe një lëvizje që i ka shqetësuar kundërshtarët e PD dhe të pluralizmit.

Po ta vini re, këta njerëz nuk i kënaq asgjë te PD-ja, madje as ndarja. Me të drejtë, sepse, thellë në zemër të psikës së tyre sociopolitike fle ëndrra e asgjësimit të forcës së parë të pluralizmit politik në Shqipëri. Kësisoj nuk i kënaq as bashkimi, sepse kjo u heq mundësinë për ta treguar Sali Berishën, jo vetëm si ‘pengestar’ të çlirimit të Shqipërisë nga ai-dhe rënia nën Edi Ramën- por edhe si vetmitar. Kjo e fundit i pasionon dhe i tremb posaçërisht.

Kështuqë, i hidhen në fyt çdo ideje, çdo akti dhe çdo individi politik që ua shemb këtë apasionatë të vjetër, në të cilën Berisha është i vetëm nën gishtin e tyre të cilin ata e imagjinojë si shpatën epike të Damokleut.

Në këtë pikëpamje, bashkimi i djeshëm ka prodhuar një akt disruptiv, të vetmit ndoshta që vlejnë në politikë, në një 2 vjeçar të mbushur me monotoni-pjesëmarrja masive në protestën e 7 korrikut permbylli aktin rebelues dhe popullor të Foltores dhe hapi një stinë stanjacioni relativ.

Kundërshtarët duhen shpërfillur, por kritikët duhen dëgjuar. Ca sysh thonë se, ky bashkim vlen, por nuk e kryen punën. Ai mbetet sërish vazhdim i mbylljes dhe, jo lajmërim i hapjes-ose të aktën një hapje kah vetja. Se bashkimi duhet të vazhdojë me një Federatë gjithpërfshirëse opozitare. Se me bashkimin në seli duhet të shkriftohen edhe organet drejtuese të PD. Se primaret, ndoshta kanë rënë, tani që grupi i Bardhit nuk do ketë kohë të tejkalojë helmet e sulmeve të së shkuarës. Se shoqëria, që t’i besojë PD duhet të shohë te ajo një organizatë e cila ka qëllime politike, por edhe etike e estetike.

Këto janë të përmbledhura ato që thuhen dhe që mund ta bëjnë fazën pas bashkimit një motor me djegie të brendshme që prodhon energji, edhe për një shoqëri të tulatur si kjo e jona. Në këtë faze, e rëndësishme është që bashkimi i djeshëm e zhbëri pafuqinë e një partie me dy pjesë, që sillej si zhgaba e flamurit: dy koka që ktheheshin nga njëra tjetra vetëm natën, sa për të dale nga miti. Ditën, vetëm sa stolisnin gjuhën e drunjtë të unitetit pa akt.

 

 

Të fundit