Flash News

OP-ED

Our son of a b*tch

Our son of a b*tch

Alfred Lela

Tre kongresmenë (njëra është congreswoman në fakt) e vizituan Tiranën para dy ditësh, dhe pas një fotoje-premiere me ambasdoren Yuri Kim, takuan kryeministrin Rama dhe shefin e PD, Basha.

Të martën Richard Grenell takoi presidentin Meta pasi kishte dhënë një intervistë për një forum konservator amerikan ku e shfajësonte Sali Berishën dhe provokonte, në kërkim të provave Sekretarin e Shtetit dhe Departamentin që ai drejton.

Intervista e Grenell-it vlente për tri gjëra.

Së pari i jep fund një gossip-i mediatik të përhapur në Tiranë se dosja e Berishës ishte përgatitur dhe dhënë Departamentit të Shtetit nga shërbimet sekrete amerikane (nënkupto CIA). Kjo është një tezë që ka qarkulluar kryesisht nga mjedise dhe personazhe anti-berishistë dhe synonte ta trajtonte problemin e Berishës si sistemik, pra që i përket sistemit dhe jo administratave që ndërrohen.  

Rick Grenell e rrëzon këtë pandehmë sepse sot ai foli në rolin e ish-drejtorit të shërbimeve inteligjente amerikane, madje duke e theksuar këtë fakt. “Nuk kam parë fakte që e bëjnë z. Berisha personazh për një non grata, edhe pse kam qenë drejtor në detyrë i shërbimeve Inteligjente me fokus Ballkanin”, tha qartazi ai.

Sigurisht, ata me prirje anti-berishiste do të interpretojnë autorin e deklaratës dhe profilin e tij kontroversial, për të zbehur thelbin e të thënës, por çka mbetet është fakti i të theksuarit, me sa duket të qëllimshëm të statusit të tij si ish-zyrtar i lartë amerikan.

Së dyti, Grenell ndihmon që të legjitimohet beteja e Berishës në dy drejtime: padinë ndaj Sekretarit të Shtetit në një gjykatë franceze dhe tezën se pas vendimit të Blinken qëndron George Soros. Si Berisha, si Grenell, mund të jenë duke spekuluar me deklaratat se pas non grata-s së ish-kryeministrit qëndron miliarderi kundrathënës, por spekulimi zbutet nga fakti se ka një Qendër Blinken si pjesë të Fondacionit Shoqëria e Hapur. Sikur asgjë tjetër z. Blinken bëhet guilty by association.

Duhet thënë edhe tjetra: nëse Grenell e ndihmon Doktorin në dy plane, e dëmton në një tjetër. I rrëzon tezën se non grata i ka ardhur nga qëndrimi i tij kundërshtues për ripërcaktimin e kufijve të Kosovës. Për arsyen e thjeshtë se Grenell ka qenë plotësisht pas atij drafti. Në mos kjo, bën atë tjetrën: e shfaq personazhin politik amerikan si lobist që ndjek impulse dhe honoraret.

Së treti, Grenell shërben si dritë për hijen dhe hije për dritën që lëshon në Tiranë ‘Amerika tjetër’, ajo e ambasdores Kim. Fotoja e saj me kongresistët u lexua menjëherë, nga më cinikët, si një përpjekje për të mbështetur Bashën dhe betejën e tij në PD. Për të krijuar, me anë të kontrastit, asosacionet e 'së mirës' dhe 'së keqes'. Ashtu ndodhi: trupa nga Washington-i takoi dy benjaminët e saj, kryeministrin dhe rivalin e tij.

Ka parashikueshmëri te lëvizjet e ambasadores, por është ndoshta pikërisht çka ajo synon: të mos jetë e paparashikueshme. Sigurisht, në një vend si Shqipëria, ku vendin më të lartë në dramaturgjinë e gjërave e zënë të paparashikueshmit, ajo rrezikon të shikohet si ‘skenë e përsëritur’.

Në finale, si Kim ashtu edhe Grenell, duke mbështetur secili të vetët, duket se po praktikojnë parabolën e famshme të Presidentit Franklin Roosevlet për presidentin nikaraguan Somoza: he may be a son of a bitch, but he is our son of a bitch.  

Të fundit