Flash News

OPINEWS

Taksë për beqarët apo për ata që nuk ikin

Taksë për beqarët apo për ata që nuk ikin

Nga Lutfi Dervishi
Shqipëria, nuk ka nevojë të kopjojë Maqedoninë për të luftuar plakjen, duke vendosur taksë për beqarët.
Plani kombëtar kundër plakjes PKKP:
1. Taksa për të rinjtë që s’kanë ikur
Në vend që të penalizojmë beqarët, siç duan të bëjnë në Maqedoni, ne do të penalizojmë ata që qëndrojnë në Shqipëri nën moshën 35 vjeç. Sepse nëse s’ke ikur ende, ose je i paaftë për të emigruar, ose ke plan të plakesh këtu!
2. Pension për çdo njeri që rishfaqet në Shqipëri pas 10 vitesh emigracioni
Mos ta quajmë më "plakje" por "ringjallje demografike", kur të moshuarit kthehen për të shijuar pensionin këtu, për ekonominë është sikur të kemi lindur 20 foshnje.
3. Shpallja e Shqipërisë si "zonë e lirë plakjeje"
Importojmë pensionistë nga BE. Taksë zero, diell, det. Europa plaket, Shqipëria i shfrytëzon! Fitim për të dy palët: ata vdesin për diell, ne pasurohemi me pensionet e tyre.
4. Kulla për çdo bebe
Çdo fëmijë do ketë një kullë me emrin e vet. Nëse do lindësh, duhet të kontribuosh në zhvillimin urban! Sa më shumë fëmijë, aq më shumë kulla, sa më shumë kulla aq më shumë beton, sa më shumë beton aq më pak hapësira për pleq!
5. Bonus për çdo bebe të lindur jashtë që regjistrohet si banor në Shqipëri
Pse të lodhemi të bëjmë fëmijë këtu, kur kemi eksportuar fuqi punëtore dhe mund të importojmë foshnja? Çdo shqiptar që lind në Gjermani, Itali apo gjetkë, merr nënshtetësinë shqiptare! Kështu përmirësojmë moshën mesatare në vend dhe shpallemi kombi i ri në Ballkan.

Të fundit