Flash News

OPINEWS

Teknologjia si mjet lufte mes Izraelit dhe Iranit

Teknologjia si mjet lufte mes Izraelit dhe Iranit
Nadia Elbasani

Nadia Elbasani*

Të gjithë e pamë qartë, se si teknologjia në përplasjet e fundit midis Izraelit dhe Iranit, shërbeu si mjet për të përshkallëzuar me shpejtësi tensionet e realitetit fizik, duke shërbyer si skena kryesore e përplasjes mes kombeve.

Më 13 Qershor, Izraeli ndoqi pikërisht tendencën e fundit të sulmeve kibernetike të gërshetuara me ato fizike; goditi përmes sulmeve ajrore objekte strategjike iraniane, si impiantet bërthamore në Natanz. Operacioni “Rising Lion” ishte ndërthurja e raketave precize, dronëve të autonomisë së lartë dhe ndërhyrjeve kibernetike. Duhet theksuar se Izraeli, në skenën ushtarake dhe të inovacionit, është ndër liderët globalë. Kjo tregon më së miri se një përgatitje e tillë tashmë është pjesë integrale e një konflikti.

Nga krahu tjetër, edhe Irani nuk mbetet mbrapa në përdorimin e teknologjisë si mjet lufte, duke bërë që më 14 qershor të shënohej një rritje me mbi 700% të sulmeve DDoS ndaj sistemeve izraelite. Si pasojë e kësaj ofensive, të ardhur nga grupe iraniane si “Handal” dhe “Black Shadow”, po ashtu sisteme kritike të Izraelit, si rrjeti elektrik kombëtar, stacionet e pompimit të ujit dhe sistemet e menaxhimit të trafikut në Tel Aviv, pësuan ndërprerje të përkohshme. Duhet kuptuar një element jo pak i rëndësishëm; goditja kibernetike është njëkohësisht ulje reputacioni i një shteti dhe dëmtim i jetës së përditshme.

Më pas, më 17 qershor, ishte hera e parë që një sulm digjital nga grupi “Predatory Sparrow”, i lidhur me inteligjencën izraelite, preku sistemin financiar të bankës “Sepah”, e cila ishte përgjegjëse për financimin e projekteve të IRGC-së. Bankomatët ndaluan së funksionuari në disa zona, aplikacionet mobile u bllokuan dhe mesazhi publik pas këtij sulmi ishte: “Ne kemi fshirë të dhënat tuaja – ky është vetëm fillimi.”

Listimi i këtyre ngjarjeve të këtij muaji nuk është thjesht episode lufte; janë demonstrim i një dimensioni të ri që konfliktet mes kombeve kanë marrë. Dronët autonomë u bënë mjeti i ri i luftës moderne. Siç ka demonstruar ky muaj, mjetet e reja të luftës ndjekin dhe ekzekutojnë objektiva që gjenden me njohje/identifikim të fytyrës, zërit apo edhe lëvizjeve, duke shënuar një mënyrë vrasjeje më inteligjente, më precize dhe më të automatizuar se ajo tradicionale.

Këto ngjarje na kanë lënë të kuptojmë se teknologjia sot kërkon vetëm një buton “miratimi” për të zëvendësuar një proces që tashmë, pa frikë, mund ta konsiderojmë të vjetruar. Këto përplasje vërtetuan se kombet e kanë teknologjinë pjesë të strategjisë ushtarake.

Përzjerja midis ligjit ndërkombëtar dhe etikës teknologjike, kufijtë midis të lejuarës dhe të ndaluarës, janë bërë aq të turbullt saqë lind pyetja: A është ligji ndërkombëtar i përgatitur për epokën e luftës dixhitale?

Sot, më shumë se ndonjëherë, vihet re se nuk ka një konventë ndërkombëtare që ndalon sulmet kibernetike ndaj infrastrukturës civile, apo mekanizma për hetimin dhe ndëshkimin e sulmeve kibernetike me pasojë ndaj civilëve. Terrori dhe sulmi ndaj qytetarëve, në emër të një konflikti, sot vjen edhe përmes një sulmi kibernetik, ku kushdo mund të jetë në shënjestër. Kjo nuk është thjesht një përballje për dominim ushtarak, por një garë nëpërmjet teknologjisë dhe mjeteve të saj.

*Autorja eshte pedagode ne CyberSecurity Law 

Të fundit