Flash News

KRYESORE

Pas takimit me Bashën, aleatët flasin njëzëri: Pse do i djegim mandatet

Kryedemokrati Lulzim Basha ka zhvilluar një takim me aleatët e PD, Vangjel Dulen, Agron Duka, Nard Ndoka, Fatmir Mediun dhe Dashamir Shehi.

Pas takimit, aleatët kanë folur për median, duke shprehur dakordësinë e tyre për djegien e mandateve si dhe arsyet se përse e kanë marrë një vendim të tillë.

“I sotmi ishte një takim pune dhe pa dyshim vendimi për djegien e mandateve ishte një vendim i opozitës së bashkuar. Për më shumë keni aleatët këtu”, u shpreh kryedemokrati,  duke u lënë fjalën aleatëve.

Deklarata e aleatëve për median:

Fatmir Mediu:

"Ne që jemi këtu kemi koalicion politik dhe kemi detyrim moral. Edi Rama nuk mund të qeverisë më vendin. Institucionet nuk mund të funksionojnë në mënyrë të paligjshme. Është detyrimi i të gjithëve ne që jemi këtu që t'i përgjigjet atij zëri qytetar. Do jetë vendim unanim, jo vetëm i deputetëve që janë aktualisht në Kuvend por edhe i të gjithë deputetëve që kanë kandiduar nga opozita e koalicionit tonë. Duhet të kemi një parlament që vjen me votën e lirë".

Vangjel Dule:

"Opozia e bashkuar parlamentare është në kushtet e realizimit të misionit të saj, që nuk mbaron me djegjen e mandateve të këtij parlamenti ilegjitim që i jep fund qeverisjes ilegjitime te zotit Rama. Ky koalicion opozitar është ai i cili drejton popullin, mbështetet nga populli për të sjellë ditën e nesërme, demokracinë funksionale.  Pra misioni është i vështirë, i rëndë dhe kërkon mbështetjen më shumë se kurrë të gjithë atyre që janë të mashtruar, të gënjyer çdo ditë e më shumë".

Nard Ndoka:  "Qytetarët patën një mbështetje maksimale të aksionit opozitar. Folën qartë dhe për kryeministrin dhe mandatin e kryeministrit.  Ai duhet të lexojë protestën e qytetarëve. Duhet ta djegë se pari Edi Rama që është kapur në korrupsion duke zgjedhur dhe është moment reflektimi për zotin Rama. Axhenda e opozitës së bashkuar është e qartë nëse ai nuk do të reflektojë natyrshëm qytetarët, është detyra jonë si opozitë t'i tregojmë mënyrën si duhet të largohet.

Dashamir Shehi: Sa kohë të jetë Rama aty do na keni bashkë ne. Ditën që të mbarojë kjo punë, do shihni diçka ndryshe. Kshuqë kjo punë është e mbyllur.

Agron Duka: Unë e kam thënë mendimin tim. Ne jemi për zgjedhje institucionale nëpërmjet parlamentit. Por ne do i djegim tre mandate, si vendim i opozitës së bashkuar.

Më tej, kryedemokrati ripërsëriti dhe njëherë arsyet se përse opozita ka vendosur të djegë mandatet.

“Arsyeja për djegien e mandateve është ekonomia, kriza sociale dhe emigracioni masiv. Janë probleme që kërkojnë zgjidhje dhe Edi Rama nuk i zgjidh dot, pasi Rama dhe qeveria e tij janë të lidhura me krimin dhe oligarkët. Asgjë nuk e shpjegon faktin që po spostohet shtrati i lumit të Lanës, për t’u bërë realitet projekti i një trafikanti dhe askush nuk futet në burg. Ky është një moment bashkimi, vetëdijësimi dhe qëndrese që iu takon qytetarëve të ndershëm”, mbylli fjalën e tij Basha.

Të fundit