Flash News

KRYESORE

Sa duhet të paguaje gjatë sistemit komunist nëse ishe beqar

Drejtoria e Përgjithshme e arkivave ka bërë publike një dokument të vitit 1951 mbi ligjin për beqarët.

Sipas këtij ligji femrat nga mosha 20-40 vjeç dhe meshkujt nga 20-50 vjeç të cilët ishin beqar, të ve, të shkurorëzuar dhe pa fëmijë duhet të taksohen sipas kategorive të përcaktuara.

Prej ligjit përjashtoheshin ushtarët dhe nënoficerët, nxënësit dhe studentët, invalidët e luftës dhe të punës, shtresat me të ardhura të pakta ekonomike dhe klerikët që nuk martohen.

Statusi i plotë:

 Beqaria dëmton rëndë xhepin – Dekreti për “Tatimin e beqarëve”, Republika Popullore e Shqipërisë, 1951.

Më 9 shkurt të vitit 1951 Presidiumi i Kuvendit Popullor të Republikës Popullore të Shqipërisë miratoi Dekretin nr. 1222 mbi tatimin e beqarëve. Ligji prekte meshkujt 20-50 vjeç dhe femrat 20-40 vjeç, që ishin beqarë, të ve, të shkurorëzuar dhe pa fëmijë. Punëtorët dhe nëpunësit tatohen me 3% mbi të ardhurave, zejtarët, tregtarët dhe profesionistët me 4% mbi të ardhurat, fshatarët me 600 lek në vit dhe të tjerët 200 lek në vit. Tatimi paguhej më 1 korrik dhe 1 dhjetor të çdo viti. Ata që kishin të ardhura të tjera dytësore, tatoheshin edhe mbi ato të ardhura. Prej ligjit përjashtoheshin ushtarët dhe nënoficerët, nxënësit dhe studentët, invalidët e luftës dhe të punës, shtresat me të ardhura të pakta ekonomike dhe klerikët që nuk martohen. Dekreti u hartua duke marrë parasysh nivelin ekonomik të vendit, si dhe i mbështetur në eksperiencën Sovjetike, siç thotë relacioni bashkangjitur dekretit. Ndryshimi me ligjin përkatës të Bashkimit Sovjetik është shuma e tatimit, e cila në Shqipëri është zbritur në shifrën bujare të gjysmës ose pak më shumë se gjysmës së tatimit të BS, nga 6 në 3%.

Di njeri, a është shfuqizuar ky ligj? (Pamjet dokumentare: AQSh. Përgatiti: S.Ç.)

Të fundit