Flash News

KRYESORE

Spiropali i përgjigjet Bashës: S’njohim asnjë platformë alternative, por dialog për Reformën Zgjedhore

Spiropali i përgjigjet Bashës: S’njohim asnjë

Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali i është përgjigjur kreut të PD, Lulzim Basha, pas deklaratës së tij dje në mbrëmje, në përfundim të takimit me aleatët.

Sipas Bashës, opozita ka shtyrë protestat deri në mes të shtatorit dhe është gati të përgatisë dy platforma alternative për reformën zgjedhore dhe atë në Drejtësi.

Në një reagim në rrjetet sociale, Spiropali i përgjigjet Bashës se qeveria nuk do të njohë asnjë platformë alternative, por është gati të ulet në dialog për reformën zgjedhore.

“Për këdo që nuk e ka kuptuar ende se ku fle lepuri, që prodhoi gjithë zallamahinë e gjysmës së parë të vitit.

E para, frika nga çelja e negociatave dhe përpjekja ekstreme për shkatërrimin  imazhit të vendit në mes të tetorit, kur në fakt të gjithë duhet të bënin avokatin e Shqipërisë në prag të vendimmarrjes së Këshillit Evropian në 18 tetor, Basha do dalë përsëri në rrugë, për të prodhuar foto e lajme në mediat ndërkombëtare mbi Shqipërinë e zhytur në të zeza.

Le të shpresojmë që drita e arsyet të ndizet edhe në kokën e tij dhe në grupin udhëheqës të asaj partie në të mirë të të gjithëve. Ne s’bëjmë asnjë hap mbrapa dhe nuk njohim asnjë platformë alternative për reformën në drejtësi, kështu që do të jetë mund i harxhuar kot ajo platformë se do mbetet në sirtarin e ëndrrave me sytë hapur të Bashës.

Ndërkohë po, jemi gati të ulemi për reformën zgjedhore dhe të kthejmë në ligj rekomandimet e fundit të OSBE/ODHIR.

Mund të hapim një dialog konstruktiv dhe të bashkëpunojmë me të gjithë, përfshirë edhe me Lulzim Bashën për të reformuar bazën ligjore të zgjedhjeve”, u shpreh Spiropali.

Të fundit