Flash News

KRYESORE

Vota në OKB, Ditmir Bushati: Nuk konsultohemi me Ambasadën e SHBA për vendimet tona

Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati ka theksuar se Shqipëria nuk konsultohet me asnjë ambasadë të huaj për vendimet e saj në organizatat ndërkombëtare, duke sjellë një pamje të ndryshme nga perceptimi që ekziston në publik.

Duke folur për votën në OKB për Jersualemin, Bushati tha në emisionin ‘Tonight’ se nuk ka patur ndërhyrje nga qeveria e SHBA-së dhe as në rastet e mëparshme sa i përket statusit të qytetit të shenjtë.

“Ne nuk bëjmë konsulta me asnjë ambasadë se si marrim vendimet, por natyrisht ka partnerë që për votime të rëndësishme janë shumë të interesuar për avancimin e kandidaturave të tyre nëpër instanca të ndryshme ndërkombëtare janë shumë të interesuar. Në gjuhën diplomatike ky konsiderohet, njihet ndryshe si “de marche” dhe unë po ju them që nuk kas pasur asnjë “de marche” nga qeveria e SHBA për këtë votim, jo për këtë votim, por për asnjë nga votimet që kanë lidhje më statusin e Jerusalemit”, u shpreh Bushati.

Bushati tha gjithashtu se më herët në Konferencën Islamike, qëndrimi i Shqipërisë ishte konsultuar edhe me Presidentin e Republikës.

“Ne kemi bërë sugjerimin tonë përkatës, jo vetëm për nivelin e përfaqësimit në Konferencën Islamike por edhe për qëndrimin që do të mbahej dhe kjo procedurë është zhvilluar me shkrim, qoftë me shkresë, ashtu edhe me e-mail dhe për këtë qëndrim, Presidenca nuk ka patur asnjë kundërshti. Ne nuk bëjmë konsulta me asnjë Ambasadë”, deklaroi ministri.

Të fundit