Flash News

KRYESORE

Zbardhet platforma që Basha u ka dorëzuar aleatëve; 4 pikat për të cilat vijojnë ende negociatat

Partia Demokratike dhe kreu i saj, Lulzim Basha, kanë hartuar një platformë bashkëpunimi të cilën ua ka dorëzuar partive aleate të opozitës. Kjo platformë, e siguruar e plotë nga Politiko.al, përmban katër pika, ku ndër më kryesoret janë ndërtimi i koalicionit të bashkuar opozitar për zgjedhjet e ardhshme dhe krijimi i një qeverie tranzitore, me mandat të posaçëm, që do të organizojë këto zgjedhje.

4 pikat e platformës:

  1. Kemi vendosur daljen në një Koalicion të Bashkuar Opozitar në zgjedhjet e ardhshme në vend.
  2. Rruga e vetme për të garantuar zgjedhjet e lira dhe të ndershme, është formimi i një Qeverie Tranzitore, me mandat të posaçëm për:

  • përgatitjen e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme në Shqipëri;
  • realizimin e Reformës Zgjedhore dhe ndjekjen e zbatimit të saj, me fokus të veçantë shkëputjen e lidhjes mes politikës dhe krimit, luftën ndaj fenomenit masiv të blerjes së votave, intimidimit kriminal mbi zgjedhësit, si dhe eleminimin e pabarazisë mes partive politike pjesëmarrëse në zgjedhje;
  • krijimin e klimës së besimit për zbatimin e Reformës në Drejtësi, jashtë çdo ndërhyrje politike;
  • krijimin e kushteve të nevojshme për të përshpejtuar nisjen e negociatave të Shqipërisë për antarësimin në Bashkimin Europian dhe ndërmarrjen e çdo Reforme të nevojshme për këtë qëllim.

  1. Rikonfimojmë vullnetin tonë se Integrimi Europian i Shqipërisë është rruga e vetme për t’i dhënë fund tranzicionit të tejzgjatur, dhe se shprehim gadishmërinë tonë të plotë për të ndërmarrë çdo hap që bën realitet rrugëtimin e pandalshëm e të shpejtë të Shqipërisë në familjen europiane.
  2. Jemi të vendosur për të ndërmarrë çdo aksion politik, institucional apo ligjor, për realizimin e kushteve që sigurojnë zgjedhjet e lira dhe të ndershme dhe për t’i dhënë fund kapjes së qeverisjes dhe zgjedhjeve nga krimi i organizuar dhe paratë e pista të krimit dhe korrupsionit.

Kryedemokrati Basha është takuar së fundmi me të gjithë krerët e partive politike, por ashtu siç bëjnë me dije burime për Politiko.al, negociatat vijojnë ende dhe ngërçi kryesor lidhet me reformën zgjedhore. Në platformë flitet për realizimin e kësaj reforme, por jo për ndryshimin e sistemit zgjedhor, që në Shqipëri penalizon partitë e vogla.

Mësohet se Partia Agrare Ambientaliste, e drejtuar nga Agron Duka, po këmbëngul fort në ndryshimin e kodit, që do të hapte garën për të gjitha partitë.

Edhe aleatët e tjerë, Dashamir Shehi dhe Nard Ndoka, kanë kërkuar ndryshim të kodit zgjedhor dhe mbajtjen e premtimit nga Basha.

Gjithsesi, ndonëse negociatat për nënshkrimin e platformës vijojnë, të gjithë aleatët e PD-së, pjesë e opozitës, kanë dhënë mbështetjen e tyre për protestën e 16 shkurtit.

Platforma e plotë

Të fundit