Flash News

E-TJERA

10 librat më të mirë të vitit sipas Aida Baros

10 librat më të mirë të vitit sipas Aida Baros
Një përzgjedhje e të përzgjedhurve të Politiko
 

Përzgjedhjet e mia variojnë mes atyre që janë lexuar dhe atyre që kanë zënë vend te komodina e librave për t’u lexuar. Sigurisht, nuk është aspak shteruese dhe me gjasë, mund të kem harruar ndonjë syresh, sidoqoftë tani po i bie më të që këtë vit paskam lexuar më shumë poezi sesa më parë. Renditja është thjesht rastësore, jo se ka ndonjë hierarki të përcaktuar vlerash, pasi secili prej tyre ka vendin e vet në mendjen time. Megjithatë, më vjen keq që stiva e librave të palexuar mbi komodinë po bëhet përditë e më e madhe dhe nuk gjej paqe me veten për këtë fakt.

      1.       “Antologji e poezisë bashkëkohore greke” – përgatitur e përkthyer nga Sokol Çunga, Berk

Kjo antologji ishte një zbulim i bukur i poezisë që shkruhet sot ndër fqinjët tanë grekë. Temat e vetmisë, të tëhuajzimit, të mungesës së dashurisë me sa duket janë universale dhe i flasin sot çdo lexuesi, pavarësisht kombësisë.

      2.       Flama – Tom Kuka, Pegi

Tom Kuka tashmë është një autor i afirmuar në letërsinë shqipe. Stili i tij, mënyra e rrëfimit të së tashmes përmes të shkuarës, rrëmimi dhe analiza në psikologjinë e personazheve që vijnë nga thellësia e kohërave, por ngjajnë pikë për pikë me njeriun modern të shpërfytuar nga vese ndjellakeqe e bëjnë një autor të ndjeshëm e trazues në të njëjtën kohë.

      3.       Castigat – Ardian Vehbiu, Albas

Një përmbledhje me tregime të shkruara ndër vite, kur elementi befasues dhe i pezullt e shtyn lexuesin të rrëmojë në mendjen e vet për kuptime më të thella. Humori i hollë që fshihet pas personazheve tregon brumin e një shkrimtari që të rrëfen atë që do ai duke të futur labirinte e skuta që ti vetë ndoshta s’ke dashur të shkosh.

     4.       Klara dhe Dielli – Kazuo Ishiguro, përkthyer nga Gentiana Kasemi, Pegi

Kazuo Ishiguro tani për tani mbetet shkrimtari im i preferuar pikërisht për atë që i lë lexuesit të nënkuptojë. Duke kaluar nga zhanri në zhanër, arrin të mbetet po aq mjeshtër stili në rrëfim. “Klara dhe Dielli” i drejtohet shpirtit njerëzor. A mund të kenë shpirt robotët apo njerëzit mund të jenë më të akullt dhe më përllogaritës sesa një makinë e krijuar nga vetë njeriu?!

    5.       Testamentet – Margaret Atwood, përkthyer nga Jerina Dushku, Pegi

Testamentet është një libër sa tronditës, aq dhe syhapës. Është një libër feminist dhe politik në të njëjtën kohë, sepse Margaret Atwood, përveçse mjeshtre e stilit dhe të shkruarit, na shpalos mënyrat tinëzare të ngritjes së pushtetit, mënyrat e manipulimit të gjindjes dhe sidomos të grave për t’i mbajtur të nënshtruara, po nga gratë. Është një lojë ekuilibri pushtetesh mes burrave dhe grave, që realisht nuk është aspak distopi.

    6.       Palcë dhe frymë – Arti Lushi, Buzuku

Poezia e Arti Lushit është ndër më të mirat sot në Shqipëri, i lë pas gjithë sentimentalizmat që gëlojnë zakonisht në poezi, madje ndihet edhe një lloj moskokëçarje në dukje për gjendjen shpirtërore, por nën të fshihet një ndjeshmëri e madhe dhe dhembje për kohën pa dashuri që po jetojmë.

Botime të tjera që mezi pres t’i lexoj janë dhe këto të mëposhtmet. Ndoshta nuk ka kuptim që t’i rendis këtu, por kam besim se autorët dhe përkthyesit e këtyre veprave nuk do të më zhgënjejnë.

   7.       Vita nuova (Jeta e re) – Dante Aligheri, përkthyer nga Arben Dedja, Pika pa sipërfaqe

Ky vëllim në fakt, mbetet ende për t’u lexuar, por desha ta theksoj, sepse të sjellësh veprën e një poeti të madh italian si Dante Aligheri nuk është aspak e lehtë, duke qenë se gjuha e Dantes është e vështirë të kuptohet sot edhe nga vetë italianët. Shpresoj që Arben Dedja të ketë bërë një punë të lavdërueshme, ashtu si dhe në përkthime të tjera.

   8.       Egërsia – Nicola Lagioia, përkthyer nga Erion Gjatolli, Toena

Lagioia është një prej shkrimtarëve më të mirë bashkëkohorë italianë. Dhe si përkthyese e ndjekëse e letërsisë italiane, jam shumë kureshtare të lexoj një autor që ka fituar dhe çmimin Strega, për më tepër.

   9.       800 hapa larg Venerës – Virion Graçi, Onufri

Kam lexuar disa tituj të Graçit, si për shembull: “Babai në shi”, ndaj e di që s’kam për t’u zhgënjyer as nga ky libër.

   10.   E largëta dhe Qielli i rremë - 2 vëllimet me tregime të Julio Kortazar, Aleph

Janë tregime të përkthyera nga Aurel Plasari dhe Bashkim Shehu. Më tërheq jashtëzakonisht  Kortazari, për më tepër përkthyer nga dy duar të sigurta në përkthim.

Të fundit