Flash News

E-TJERA

Zgjedhjet e pjesshme lokale/ Meta jep datat, PS shpreh dakordësi; a do të takohet presidenti me përfaqësues të opozitës

Zgjedhjet e pjesshme lokale/ Meta jep datat, PS shpreh dakordësi; a do

Përshpejtohet procedurat për mbajtjen e zgjedhjeve të pjesshme lokale. Disa ditë më parë Kreu i Shtetit njoftoi se kishte nisur procedurat për mbajtjen e zgjedhjeve në gjashtë bashkitë që kanë mbetur pa kryetar, ndërsa sot dha datat për zhvillimin e tyre.

Meta propozoi datat 27 shkurt ose 6 mars për zhvillimin e zgjedhjeve. Ai u takua ditën e sotme me kreun e grupit parlamentar socialist Taulant Ballën. Ky i fundit tha në përfundim të takimit se Meta kishte caktuar datën 6 mars.

Mesa duket 6 marsi është alternativa më e mundshme, pasi dhe Kreu i Shtetit shprehu nevojën për kohë që kanë institucionet për t'u përgatitur. Presidenti u shpreh se nuk i kishte çuar asnjë partie politike ftesë zyrtare për konsultim.

Në të kundërt shtoi ai, ftesa do iu ishte nisur të gjithë drejtuesve të partive pa përjashtim, teksa u pyet se përse u takua vetëm me përfaqësues nga mazhoranca.

Këtu ai ironizoi, ndërsa tha se "Taulanti është i madhërishëm është përfaqësues edhe i shumicës, por i cakton vendin edhe pakicës". Meta tha se kishte shqetësim se ndoshta PS do të bojkotonte zgjedhjet dhe se do të kishte kundërshti për datën e caktuar nga presidenti, ndërsa shtoi se mori garanci nga shumica që nuk do të ndodhë.

“Nuk do të donim të kishim debate të paktën me shumicën për çdo diskutim ligjor apo procedurial. Të ndaj edhe me ju një shqetësim të fundit që kisha, thashë mos kushedi shumica bojkton zgjedhjet, edhe a do t’ia vlente një proces i tillë.

Mora garanci nga z.Balla që ata janë të gatshëm në çdo kohë për zgjedhjet dhe mirëkuptojnë çdo vendim për datën. Nuk ka pasur konsultim me partitë, ka pasur një konsultim me përfaqësuesit e shumicës në Kuvend”, tha Meta.

Ky i fundit u pyet nëse do të ketë takime edhe me përfaqësuesit e opozitës. “Nuk ka arsye përse të ketë", iu përgjigj ai interesit të gazetarëve. Kreu i Shtetit tha se ka komunikuar me intitucionet për mbajtjen e zgjedhjeve, duke bërë me dije se ka marrë përgjigje pozitive. Ai tha se sot pret dhe një përgjigje nga Gjykata Kushtetuese për çëshjen e Bashkisë së Lushnjës, ku ish-kryetari Fatos Tushe ndodhet në burg.

 

Të fundit