Flash News

OP-ED

Fantazma e Udrou Uillsonit e të tjerëve: të refuzosh bamirësin, të mbash trashëgiminë

Fantazma e Udrou Uillsonit e të tjerëve: të refuzosh

Ross Douthat/ The New York Times

Kur bëhej fjalë për të urryer Udrou Uillsonin, unë qeshë një dishepull i hershëm. I rritur me historinë e rrafshtë liberale, që e salutonte presidentin e 28-të si një vizionar për ideimin e Lidhjes së Kombeve, zgjodha që në kolegj atë që ishte asokohe një perspektivë kontrariane, kryesisht e krahut të djathtë - që shumë prej trashëgimive të Uillsonit ishin katastrofike, përfshirë idenë perandorake të presidencës, që e ka deformuar që nga ajo kohë strukturën tonë kushtetuese, stilin mesianik të politikës së jashtme amerikane, që na dha Vietnamin dhe Irakun, dhe një solidifikim i Xhim Krout nën një maskë shkencoro-raciste.

Tani racizmi i tij ka bërë që më në fund Universiteti Prinstën (Princeton), i cili dikur kishte Uillsonin president, të hiqte emrin e tij nga shkolla e shquar e Çështjeve Publike dhe Ndërkombëtare. Ky veprim u bë nën presionin e aktivistëve të krahut të majtë, por gjithashtu iu përgjigj konservatorëve, që e kishin përmendur emrin e Uillsonit për të sugjeruar se racistët progresistë mund të ishin kursyer padrejtësisht.

Për këtë Uillson-përbuzës, rënia e tij ishte një moment ndriçues. Prisja që të isha të paktën disi i kënaqur dhe i përligjur kur u hoq emri. Në të kundërt, vendimi mu duk thjesht dhe thelbësisht i pandershëm, një rast studimor mbi çfarë mund të shkojë keq kur ikonoklazma lëviz përtej Konfederatës, për të përfshirë trashëgiminë më të gjerë amerikane.

Feja jonë civile, kur kishte më shumë besimtarë të vërtetë, nganjëherë i trajtonte presidentët e dikurshëm si shenjtorë. Por monumentet dhe dekoratat tona ekzistojnë kryesisht për të nderuar veprat, jo për të bërë kanonizime - për të shprehur mirënjohje për ndonjë akt specifik, për të njohur një borxh specifik, për të ndjekur gjurmën deri te disa trashëgimi të vlefshme.

Kështu, kur hyni në memorialet e tyre në Uashington, D.C., do të shihni Tomas Xhefersonin, të nderuar si njeriu që shprehu idealet më të larta të themelimit dhe Abraham Linkolnin si presidentin që i mbajti ato premtime. Fakti që i pari ishte një pronar hipokrit skllevërish dhe i dyti një pragmatist që duhej cytur për çlirimin e skllevërve është, sigurisht, i rëndësishëm në vlerësimin tonë për personazhet e tyre. Por ata mbeten autori i Deklaratës së Pavarësisë dhe shpëtimtari i Unionit, dhe ju nuk mund t’i pranoni asnjërën nga këto trashëgimi, Unionin dhe as "ne i mbajmë këto të vërteta ..." pa e pranuar që këto dhurata erdhën përmes tyre.

Të hedhësh poshtë një nderim ose të çmontosh një memorial, ka kuptim moral vetëm nëse synon të hedhësh poshtë veprat specifike që ai përkujton. Në rastin e monumenteve të Konfederatës, kjo është saktësisht ajo që duhet të duam të bëjmë. Qëllimi i tyre objektiv ishte të vlerësonin një kauzë për të cilën ne jemi mirënjohës që pësoi humbje, nuk ka një borxh që i detyrohemi J.E.B. Stjuartit ose Nejthën Bedford Forrestit dhe që duhet kujtuar, dhe, nëse ata hiqen, ne do të bëhemi më të qëndrueshëm moralisht, jo më pak, në mënyrën se si mendojmë për atë kapitull të së kaluarës sonë.

Teksa memoriali i Xhefersonit nuk u ndërtua për të nderuar ushtrimin e skllavërisë, Shkolla e Çështjeve Publike dhe Ndërkombëtare ‘Udrou Uillson’ nuk u emërua si nderim për të qenit segregacionist të ish-presidentit. Ajo u emërua sipas tij, sepse ai ndihmoi në krijimin e institucioneve të cilët shkolla ekziston për t’i furnizuar- aparatin tonë të brendshëm administrativ dhe atë të politikës së jashtme globale - dhe për shkak se ai ishte paraardhësi presidencial i botëkuptimit idealist intervencionist (ndërhyrës) që e ka vënë në lëvizje prej kohësh atë bashkësi të politikës së jashtme.

Që do të thotë, nga ana tjetër, se shkolla do të mbetet shkolla e tij, çfarëdo emri t’i vënë, për sa kohë që ndjek projektet e administrimit të ndriçuar përparimtar dhe të superdominimit global. Eshtë e qartë se ka njerëz, të djathtë dhe të majtë, të cilët do të preferojnë që, njëri ose të dy këto projekte, të braktisen. Por ata nuk ka të ngjarë të drejtojnë shkollën e riemëruar. Përkundrazi, ajo do të vazhdojë të drejtohet nga uillsonianët e shekullit 21 - të cilët tani do të veprojnë sikur botëkuptimi i tyre të vinte nga askund, se parardhësi i tij nuk ekziston, duke hedhur poshtë në mënyrë efektive bamirësin ndërsa i pranojnë trashëgiminë.

Të shqyrtojmë një shembull tjetër, të ngritur nga konservatorët mistrecë gjatë javëve të fundit: Rasti i Universitetit Jeill (Yale), i quajtur kështu për nder të një tregtari, zyrtar dhe pronar skllevërish i shekullit të 17-të me emrin Elajhu Jeill. Ajo që nderohet dhe përkujtohet në emrin e shkollës (dhe kjo është e vërtetë për shumë shkolla) është saktësisht një vepër nga jeta, shpesh e ligë dhe e pandershme, e Jeillit - dhurimi i parave të tij për kolegjin e ri. Emri "Yale" nuk nderon skllavopronarinë e Elajhut të vjetër; ai thjesht paguan borxhin e shkollës ndaj tij, duke pranuar se Jeill i detyrohet një pjesë të vetë ekzistencës së saj dëshirës së një njeriu të pasur për të mundësuar që paratë e bëra në rrugë të këqija të përdoren për mirë.

Tani disa mund të sugjerojnë që ekzistenca e Jeillit nuk është në të vërtetë një gjë e mirë, dhe se nderimi i njeriut, paratë e të cilit ndihmuan për ta themeluar, është rrjedhimisht një gabim. Por nëse Jeilli është i keq në këtë kuptim të thellë, atëherë riemërimi i shkollës nuk do ta bëjë të mirë; do të mbetet i njëjti vend i keq, vazhdoni të merrni para nga Elajha Jeillët e sotëm (sa para të bëra me punën e skllevërve në Kinë mbushin arkat e Jeillit edhe tani?), dhe gjithçka që pason është shtimi i amnezisë moraliste dhe mosmirënjohjes historike në listën e mëkateve.

Ose shqyrtoni një rast me ndikim më të gjerë - monumentet e Kristofor Kolombit, si ai i hequr nga një park i vogël në qytetin tim, Nju Hejvën (New Haven), jo më larg se javën e kaluar. Këto statuja pranojnë borxhin e përgjithshëm që kolonizatorët, kolonët dhe emigrantët e Botës së Re i detyrohen njeriut që lidhi Europën dhe Amerikën, së bashku me (në shumicën e rasteve) dëshirën specifike të emigrantëve italo-amerikanë për të pranuar dhe për të pretenduar një eksplorues italian. Dhe ashtu si borxhi i Jeillit ndaj Elajhut ekziston për aq kohë sa dikush beson se ‘Yale’ është i mirë dhe ia vlen të ruhet, borxhi amerikan ndaj guximit të Kolombit ekziston aq kohë sa ne jemi mirënjohës që kemi pasur paraardhës të cilët kaluan detet për t’u vendosur këtu - pavarësisht nga egërsia e tij në qeverisjen e Hispanjolës ose ndonjë krim tjetër.

Sërish, si në shembujt e mëparshëm, mund të besoni se mirënjohja e çfarëdo lloji është emocion i gabuar për t'u ndjerë për vitin 1492; ju mund të besoni se themelimi i Amerikës ishte një projekt thjesht i lig, frytet e të cilit duhej të rishpërndaheshin dhe trashëgimia e të cilit të shpërfillej. Ky besim është në përputhje me heqjen e statujave të Kolombit; në të vërtetë është në përputhje me shkatërrimin e tyre.

Por, veçse nëse finalja e heqjes së Kolombit nga Nju Hejvëni është shpronësimi i të bardhëve (prona e Jeillit, mendoj, veçanërisht) dhe rishpërndarja për Pekuotët dhe Mohikanët (fise indiane-shën. i red.), atëherë qyteti im nuk po përqafon refuzimin e përgjithshëm  të trashëgimisë së Kolombit. Thjesht po bën të njëjtën gjë si Prinstëni: ruajtjen e trashëgimisë, por mohimin e bamirësit. Mbajtja e fitimeve, por inskenimi i një shfaqjeje të madhe për shpalljen e tyre si të liga.

Nëse kjo valle përfundimisht zbehet, dhe radikalët e vërtetë marrin timonin, mbase do të pendohem që jam shumë kritik ndaj hipokrizive të saj. (Komiteti për dekolonizimin e Amerikës mund të ma tundë këtë kolumnë në fytyrë kur të vijnë për të më shpronësuar shtëpinë.) Por mundësia e kësaj është një arsye për të mos e theksuar në mënyrë kaq të dukshme mosmirënjohjen historike, nga frika që njerëzit që me të vërtetë digjen për Vitin Zero të zanafillës e marrin seriozisht kërkesën simbolike.

Ndërkohë, tani për tani mosmirënjohja po prezantohet si një përparim i qartë moral, dhe nuk është ashtu. T’i gëzohesh një trashëgimie që vjen nga njerëz me të meta, duke pretenduar se vjen nga askund, përmes askujt, është një tradhti e kujtesës, jo korrigjimi i saj - një akt i superioritetit moral që mund të mos sjellë revolucionin, por e bën klasën tonë qeverisëse edhe më pak të aftë për të sunduar.

Përkthimi: Politiko.al

Të fundit