Intervista/ Bardhyl Londo: Krijimet e para m’i botuan Vath Koreshi dhe Ismail Kadare

Intervistoi Bujar Hudhri/ Ex Libris

I afirmuar që në vitet shtatëdhjetë, Bardhyl Londo është sot një nga poetët më të rëndësishëm të letërsisë shqipe. Falë talentit dhe energjisë së tij krijuese, ai është ndër të rrallët që ka vazhduar të botojë me sukses edhe pas viteve nëntëdhjetë, duke mos u shkëputur asnjëherë nga poezia, pavarësisht angazhimeve të tij në politikë dhe në jetën shoqërore të vendit.

Le ta fillojmë me familjen dhe të afërmit tuaj. Cili prej tyre është marrë me letërsi?

I pari jam unë. Nëna dhe babai nuk kishin kohë të merreshin me letërsi se duhet të rrisnin fëmijët. Të vetmet që i janë afruar letërsisë janë dy vajzat e mia sepse kanë mbaruar për komunikim mediatik njëra në universitetin amerikan në Bullgari dhe tjetra në Mynster. Të dyja punojnë në zanatin e tyre: e madhja në Universitetin Shqiptar të Medias e dyta në universitetin e Hofenhaimit në Gjermani.

Si fëmijë çfarë librash pëlqenit të lexonit. Cili ishte libri më i dashur?

Në kohën e fëmijërisë sime librat e shkrimtarëve shqiptarë ishin shumë të paktë, për të mos thënë mungonin fare, por boshllëku mbushej me autorë të huaj, kryesisht rusë, si Nosov, Arkadi Gajdar etj., të cilët për të thënë të vërtetën, ishin shkrimtarë shumë të mirë.

Mbaj mend që libri i parë të cilin nuk e kam lëshuar nga dora ka qenë “Din Paku dhe Din Shumi”. Nuk jam shumë i sigurt për autorin por më duket se ka qenë Nosov. Edhe tani qesh kur kujtoj skena nga  ai libër. Madje po ta gjeja mund ta përktheja për fëmijët e sotëm.

A shkruanit kur ishit fëmijë?

Natyrisht që shkruaja gati çdo ditë. Më të shumtat ishin imitime nga ata pak shkrimtarë që më binin në dorë. I kisha nisur edhe disa vjersha revistës “Fatosi” e cila megjithëse nuk m’i botoi, kryeredaktori i saj, Tuni Papucciu, më ktheu një përgjigje plot mirësjellje ku më shpjegonte përse nuk mund të m’i botonte vjershat. Ishte një korrektësi që nuk do ta harroj asnjëherë.

Kur keni botuar për herë të parë?

Në rast se nuk do të quajmë botime ato të rretheve letrare (atëherë krijuesit ishin shumë të organizuar nëpër rrethe letrare), botimi i parë serioz ishte në faqen letrare të gazetës “Zëri i Rinisë” me redaktor shkrimtarin e njohur Vath Koreshi i cili jo vetëm më priti shumë mirë, por më dha një faqe të tërë të gazetës, gjë që më mrekulloi, më gëzoi dhe më nxiti shumë. Qysh atëherë më lidhi një miqësi e vërtetë me Vath Koreshin. Ishte shembulli i redaktorit jo vetëm profesionist, por edhe njeriut e shkrimtarit të vërtetë. Shumë libra, midis të cilëve edhe “ Kur perënditë ndaluan vetëvrasjen”, një nga librat më të mirë të mi, të cilin e kam botuar tek shtëpia juaj botuese “Onufri” kur ju ende ishit në Elbasan, përpara botimit e ka lexuar Vathi, madje dhe kopertinën, një fragment pikture nga Salvador Dali, e zgjodhi ai.

Ndërsa vjershat e para në “Drita” m’i ka botuar Ismail Kadare. Qarkullonin atëherë fjalë për tipin e akullt të tij dhe për mospërfilljen e krijimtarisë së të tjerëve, sidomos të rinjve. Gjithë ndrojtje nuk u ngjita në redaksi por i lashë poshtë tek dezhurni. Megjithëse ishte ditë e mërkurë a e enjte për çudinë time, njëra prej vjershave, ishte botuar qysh të dielën. Ismaili jo vetëm i kish lexuar por edhe botuar në rastin më të parë.

Po librin e parë? Çfarë ndryshoi tek ju botimi i librit?

Librin e parë e kam botuar më 1976, kur ende isha mësues. Për të u kujdes shumë miku im Xhevahir Spahiu i cili në mungesë time takohej dhe nxiste redaksinë e poezisë të shtëpisë së vetme të botimit.

Natyrisht që libri i parë, sidomos atëherë, ndryshonte shumë gjëra. Në Lidhjen e Shkrimtarëve u organizua diskutimi i librit, ndërsa gazeta “Drita” i kushtoi një faqe të plotë diskutimit, gjë që atëherë donte të thoshte shumë. Ndërsa në Përmet filluan të më shikonin me sy tjetër. Për fat të keq kërkesave të herëpashershme të gazetës “Drita” për të më marrë në ekipin e saj, i përgjigjeshin gjithmonë negativisht. Përgjigje, sa për të qeshur aq dhe për të qarë, ishte e njëjtë: është shkrimtari tonë, e kemi rritur vetë… Pse s’më lini të shkoj, pse më pengoni kështu, i thashë një ditë sekretarit të partisë që drejtonte propagandën. Ke nevojë të njohësh jetën, më tha. Po pse ajo që bëhet në Tiranë nuk është jetë? i thashë.

Kur i keni thënë vetes “po, jam poet”?

Unë mendoj dhe provoj gjithmonë të njëjtën ndjenjë qoftë edhe kur botoj një vjershë të vetme: si do të pritet ajo nga të tjerët. Unë nuk jam narcisist që ta quaj gjithçka që shkruaj të përfunduar dhe të kënaqur. Kjo do të ishte vetëvrasje për çdo krijues. Kërkimi, ndoshta dhe mosbesimi, janë ato që e çojnë përpara një krijues. Unë gjithmonë jam pak i dyzimtë, për të mos thënë i trembur, për gjithçka që shkruaj. Shpesh herë kam një lloj frike t’i lexoj librat e mi pas botimit.

Keni shkruar libra me poezi, një libër me kujtime dhe një roman. Ku ndjeheni si në shtëpinë tuaj?

Natyrisht që poezia është shtëpia ime. Në të hyj pa përdorur çelësa fare dhe pa e ndezur dritën kur është errësirë. Por libri “Jeta që na dhanë”, një roman i gërshetuar me esenë dhe i bazuar në kujtime reale, është nga librat më të mirë që kam shkruar. Për fat të mirë ai u lexua masivisht, ndërsa shtypi për një muaj të tërë u mor me të. Më vjen keq që romani “Nata e verbër” kaloi po thua pa u vënë re… Po ju siguroj se nuk është faji i romanit. Për të ruajtur etikën dhe edukatën time nuk është rasti të përmendim këtu atë që ndodhi me romanin “Nata e verbër”.

Të shkruarit, ju jep energji apo ju sfilit?

Të shkruarit gjithmonë më shpëton prej depresionit, prej ndjenjës së boshllëkut dhe kotësisë. Sa herë që jam bosh dhe e ndjej se nuk kam çfarë them bie në depresion dhe bëhem i bezdisshëm për veten dhe për të tjerët. E ndjen veten si ai burri që ka ëndërruar gjatë për një grua dhe kur e ka gati të zhveshur në krevat nuk është i aftë të bëjë dashuri me të.

A keni menduar ndonjëherë të botoni me pseudonim?

Kurrë. Më duket sikur kthehesh në ilegal, sikur nuk ke besim tek vetja, dhe, duke dashur të fshihesh nga lexuesi, e fyen atë.

A keni ndonjë libër të pabotuar? Nëse po, përse?

Libër jo, por vjersha po. Arsyeja është e thjeshtë: se kisha frikë sidomos nga aludimet dhe interpretimet dashakeqe apo subjektive që mund t’u bëheshin dhe kjo më ka ndodhur shpesh here që në dhjetor 1990 kur botova ciklin “Nga fletorja e demokracisë”. Të dy krahët e politikës i interpretuan sipas oreksit, të dy ma thanë në sy se kishin mbetur të pakënaqur. Por tani pothuajse i kam botuar të gjitha.

 Keni botuar para viteve 90 dhe tani me botues privat. Mund të bëni dallimin dhe të na e shprehni?

Është si dita me natën. Para viteve 90 gjykohej jo libri në tërësinë e vet por në radhë të parë përmbajtja dhe pastaj vinin të tjerat. Të tjerat, elementët artistikë, ishin të dorës dytë dhe të tretë. Tani ka probleme të tjera, probleme me sponsorët, me lekët që kërkojnë botuesit jo seriozë. Këta lloj botuesish nuk e lexojnë fare librin por numërojnë vetëm lekët. Prandaj tregu është mbushur me libra aq të dobët dhe të palexueshëm, të padenjë për t’i quajtur libra.

Përvojën e parë me botues privat e kam pasur pikërisht me ju, me shtëpinë botuese Onufri, kur ishit ende në Elbasan. Ishte libri i parë që më shijonte. Brenda një muaji u përgatit dhe doli në shtyp duke plotësuar një për një kërkesat e mia që nga njëherë mund të ishin edhe të ekzagjeruara. Atëherë drejtoja gazetën Drita dhe më kujtohet se në një shkrim e kam quajtur Elbasanin “ kryeqyteti i botimeve”.

Për më tepër vija nga një eksperiencë shumë e hidhur. Libri “Si ta qetësoj detin” e ka pasur fillimisht titullin “Vetëm Itaka”. Botuesit i trembte aq shumë fjala “Itaka” sa nuk ma pranuan në asnjë mënyrë. Vetëm në Prishtinë Ali Podrimja e botoi me titullin që i kisha vënë në fillim.

Jeni një poet i suksesshëm dhe me karrierë të gjatë. Çfarë është suksesi për ju?

Suksesi është si ajo vera e mirë për të cilën të gjithë kanë nevojë. Por duhet të pinë aq sa të mos dehen.

Cila është ajo periudhë e jetës tuaj kur kini shkruar më shumë?

Ndoshta fillimi i viteve ‘90 për shkak të ngjarjeve politike por dhe tani kam një periudhë shumë të mirë.

A i lexoni shkrimet për librat tuaj? Si ndjeheni?

Kur i marr vesh po. Këto ditë lexova një shkrim të Kujtim Matelit për poezinë time “Itaka”. Të them të drejtën u ndjeva mirë se e kishte zbërthyer shumë bukur poezinë. Kur shkruajnë gjëra që mua as më kanë shkuar ndërmend, buzëqesh dhe them me vete “secili ka të drejtë të mendojë si të dojë”.

Në poezitë e librave tuaj ka ndonjë sekret që vetëm ju e dini?

Po, ka shumë, madje jo vetëm tek unë por tek shumica e poetëve. Ka vargje apo edhe poezi të tëra që shumicës iu duken fare normale. Por ka ndonjë femër që vetëm ajo e deshifron kodin e fshehur.

Në vitin 1981 apo 1982 pas ngjarjeve të përgjakshme në Kosovë, shkrova poemën “Vajzë e vogël me jetë të madhe” e cila në pamje të parë duket si një poemë kundër dhunës. Dhe vërtet ashtu është, por është kundër dhunës në Kosovë. Unë nuk mund ta thosha këtë se na ishte dhënë urdhri as të mos e përmendnim emrin e Kosovës. Këtë të drejtë e kishte vetëm “Zëri i popullit” i cili shkroi nja dy artikuj redaksionalë. Atëherë përdora mënyrën tjetër që vetëm unë e di: po të lexosh shkronjat e para vertikalisht të dy këngëve të fundit, tek e para do të të dalë fjala Kosovë, tek e dyta fjala Prishtinë. Të tilla ka plot, ashtu siç ka vjersha që i kuptojnë mirë dhe e dinë si dhe pse janë shkruar, ndryshe nga lexuesi  zakonshëm që nuk ka si t’i dijë këto.

Ndonjë poezi apo vargje që keni shkruar dhe e mbani mend​?

Poezi timet është vështirë të mbaj mend, ndërsa vargje të veçantë, po. Gjithsesi më tepër mbaj mend vargje dhe poezi të të tjerëve. Ka ndodhur, për shembull me vjershën e Pushkinit “Sa ju kam dashur” që e kam cituar në fb direkt nga kafeneja. Ja po bëj një provë dhe tani:

Sa ju kam dashur. Ndoshta dashuria

nuk është shuar krejt në shpirtin tim.

Po s’dua që prej dhimbjeve të mia

të ngryseni sërish në dëshpërim.

I heshtur e pashpresë u përvëlova

me ndrojtje, xhelozi dhe mall për ju,

po kaq me dlirësi ju dashurova

sa dhëntë Zoti ju dashtë tjetër kush kështu.

A dëgjoni muzikë kur shkruani? Në se po, ç’ lloj muzike?

Jo, nuk dëgjoj muzikë. Tani në verë apo në dimër kur është shumë ftohtë dëgjoj zukamën e kondicionerit.

Keni një vend të veçantë ku shkruani apo mund të shkruani kudo?

Natyrisht kam tavolinën time. Por poezinë më tepër e shkruaj kur jam në lëvizje, me mend. Atje më vjen motivi, më lindin edhe vargjet kryesorë. Tavolina shërben pastaj për ta përfunduar dhe për ta lëmuar.

Meqenëse jeni poet ka kuptim kjo pyetje tani: shkruani me laps, stilolaps, apo stilograf?

Asnjërin nuk përdor më prej tyre. Pjesën kryesore e shkruaj me mend, në lëvizje, atë që mbetet ulem e përfundoj në kompjuter.

Zakonisht shkruani në mëngjes, pasdite apo natën?

Ishte një kohë kur shkruaja vetëm natën pasi binin njerëzit e shtëpisë në gjumë. Tani që jam vetëm me vajzën e madhe shkruaj në mëngjes.

Si i vendosni titujt e librave? Cila është domethënia e titullit?

Titulli është një nga proceset më të rëndësishme të krijimit të librit, sepse pas emrit të autorit është i pari që krijon marrëdhënien me lexuesin.

A jeni i pranishëm në rrjetet sociale?

Po përdor fb kryesisht për poezi.

Keni ndonjë ide se si po ndihmojnë rrjetet sociale dhe interneti në zhvillimin e poezisë?

Po, them se ndihmojnë në përhapjen e poezisë. Në fillim më është dukur si diçka e pavlefshme, por aty kam njohur poetë dhe sidomos poetesha që janë shumë më të mira nga ato që pushtojnë ekranet e televizioneve. Sidoqoftë libri është i pazëvendësueshëm sepse krijon një ide të plotë për autorin. Mund të shkruash një, dy apo edhe dhjetë vjersha të bukura e prapë të mos jesh poet. Ta gjykosh poetin jo nga libri po nga fb është njësoj si të gjykosh paraqitjen e njeriut duke parë veç sytë, veç hundën, veç gojën etj. Kështu nuk gjykon dot kurrë ose do të gjykosh krejt gabim.

Ju pëlqejnë promovimet e librave tuaj dhe takimet me lexuesin, autografët?

Është mënyra më e mirë për të ngrohur atmosferën midis shkrimtarit dhe lexuesit por edhe për të shitur libra. Për fat të keq ne nuk kemi arritur ta krijojmë këtë kulturë të domosdoshme, ku shumë vende të zhvilluara, përfshi dhe Amerikën, e kanë shumë të kultivuar.

A do të pranonit që librat tuaja të jenë edhe audio? Cilët aktorë do të preferonit?

Janë bërë disa poezi të miat video. Dhe tani vonë “Newsbomb” bëri video poezinë “Qyteti i vdekur” me interpretimin e Arben Derhemit. Vetë do të preferoja aktorë të rinj që i kam dëgjuar, që e kuptojnë shumë mirë poezinë, por nuk ua di emrat.

Keni përkthyer shumë poetë të huaj si Amichai, Voznjesenskij, Majakovski, Zagajewski etj. A duhet të jesh patjetër poet të përkthesh poezi?

Kushti i parë është ta duash fort dhe ta kuptosh e njohësh mirë poetin që përkthen. Natyrisht, duke plotësuar këto kushte, në rast se je edhe poet është akoma më mirë.