Flash News

Bota

Trump kritikon prokurorët e Izraelit për gjyqin e Netanyahut i akuzuar për korrupsion

Trump kritikon prokurorët e Izraelit për gjyqin e Netanyahut i akuzuar

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump sulmoi ashpër prokurorët në Izrael lidhur me gjyqin për korrupsion me të cilin është përballur kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, duke thënë se Uashingtoni, pasi i ka dhënë ndihmë Izraelit me vlerë miliarda dollarë, nuk do ta "durojë këtë", shkruan Reuters

Netanyahu u padit në vitin 2019 në Izrael me akuza për ryshfet, mashtrim dhe shkelje të besimit - të cilat ai i mohon të gjitha. Gjykimi filloi në vitin 2020 dhe përfshin tre çështje penale.

Të premten, gjykata hodhi poshtë një kërkesë nga avokatët e Netanyahut për të shtyrë dëshminë e tij për dy javët e ardhshme për shkak të çështjeve diplomatike dhe të sigurisë pas konfliktit 12-ditor midis Izraelit dhe Iranit këtë muaj.

Ai do të dalë në bankën e të akuzuarve të hënën për t'u pyetur.
"Është ÇMENDURI të bësh atë që prokurorët e pakontrolluar po i bëjnë Bibi Netanyahut", tha Trump në një postim në Truth Social, duke pohuar se procesi gjyqësor do të ndërhynte në aftësinë e Netanyahut për të zhvilluar bisedime me grupin militant palestinez Hamas dhe Iranin.

Një zëdhënës i prokurorisë izraelite nuk pranoi të komentonte postimin e Trump. Netanyahu në X ripostoi postimin e Trump dhe shtoi: "Faleminderit përsëri, @realDonaldTrump. Së bashku, do ta bëjmë Lindjen e Mesme përsëri të Madhe!"

Postimi i dytë i Trump gjatë disa ditëve duke mbrojtur Netanyahun dhe duke bërë thirrje për anulimin e gjyqit shkoi një hap më tej duke e lidhur veprimin ligjor të Izraelit me ndihmën e SHBA-së.
"Shtetet e Bashkuara të Amerikës shpenzojnë miliarda dollarë në vit, shumë më tepër se çdo komb tjetër, duke mbrojtur dhe mbështetur Izraelin. Ne nuk do ta pranojmë këtë," tha Trump.
Netanyahu "tani për tani" ishte në proces të negociatave për një marrëveshje me Hamasin, tha Trump, pa dhënë detaje të mëtejshme. Të premten, presidenti republikan u tha gazetarëve se besonte se një armëpushim ishte afër.
 

Të fundit