Flash News

E-TJERA

Gjyqi për 'Partizanin', ish-prokurori: 90% e seancave dështojnë për mos njoftim

Gjyqi për 'Partizanin', ish-prokurori: 90% e seancave

Avokati dhe ish-prokurori Eugent Beci komentoi procesin gjyqësor ndaj kryedemokratit Sali Berisha sot lidhur me privatizimin e ish-kompleksit sportiv “Partizani”.

Ndonëse seanca e parë e gjykimit ndaj ish-kryeministrit nuk u zhvillua sot, pavarësisht përfundimit të seancës paraprake më 19 maj, çështja ka kaluar zyrtarisht për gjykim themelor.

I ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit”,  Beci shpjegoi se moszhvillimi i seancës është pasojë e një problemi procedurial të njohur në sistemin gjyqësor shqiptar: mungesa e njoftimit të rregullt ndaj të pandehurit.

Sipas tij, pretendimi se një seancë “është e njohur botërisht” nuk përbën njoftim të vlefshëm ligjor dhe kjo mund të sjellë pavlefshmëri dhe pasoja për vijimin e procesit. 

Që nga sot, pas përfundimit të seancës paraprake më datë 19 maj, ka nisur zyrtarisht gjykimi themelor. Ky zhvillim ishte paralajmëruar edhe më herët, gjatë bisedave që kemi zhvilluar në studion tënde. Fakti që çështja ka kaluar në gjykim të zakonshëm tregon se tashmë është gjykata ajo që ndjek dhe administron procedurën, jo më prokuroria. 

Për këtë arsye, në përputhje me rregullat e procedurës për një proces të rregullt ligjor, mënyra e njoftimit merr rëndësi thelbësore. Pretendimi se "është një fakt i njohur botërisht" nuk mjafton. Ligjërisht, njoftimi është një akt formal që duhet të dërgohet nga sekretaria e gjykatës, dhe marrësi duhet të njihet personalisht me të. Çdo mangësi në këtë proces mund të shkaktojë pavlefshmëri të njoftimit. 

Në shumë raste në Republikën e Shqipërisë, vendimet gjyqësore janë rrëzuar pikërisht sepse i pandehuri nuk ka marrë dijeni personale për njoftimin e seancës. Kjo situatë përbën një shkelje të të drejtës për një proces të rregullt ligjor. Nëse një person njoftohet për gjyqin, por nuk ka marrë shkresën përkatëse, nuk ka firmosur ose nuk ka kthyer konfirmimin në kohën e caktuar, gjykata mund të konsiderojë se njoftimi është i parregullt. 

Edhe pse kjo mund të duket absurde, është një procedurë që duhet ndjekur me përpikëri, sidomos në procese të rëndësishme, pasi mbrojtja do të përdorë çdo parregullsi për të argumentuar shkeljen e të drejtave procedurale, përfshirë edhe në Gjykatën e Strasburgut. 

Seanca e sotme ishte e zakonshme, dhe përputhet me praktikën që ndjeket shpesh në Shqipëri: në rreth 90% të rasteve, seanca e parë nuk zhvillohet me sukses për shkak të problemeve me njoftimin, të cilat gjykata i konsideron të parregullta.", tha Beci.

Të fundit