Flash News

E-TJERA

Nga spital për fëmijë, në burg për politikanët

Nga spital për fëmijë, në burg për politikanët

Nëse do të kremtohej ditëlindja e një burgu, Instituti i Ekzekutimit  të Veprave Penale (IEVP) në Durrës do të kishte arritur në ditëlindjen e 20-të.

Ai ka nisur të funksionojë në vitin 2005, dhe aty janë të arrestuar me masë sigurie politikanë si kryebashkiaku i Tiranës, Erjon Veliaj, ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj dhe ai i Mjedisit, Lefter Koka.

Në fakt, godinat e tij janë gati 10 vjet më të hershme, dhe mbi të gjitha i përkasin një destinacioni krejtësisht tjetër, atyre të një spitali të ndërtuar në ish-kënetë.

Por që prej dy dekadash, ato i janë kaluar ministrisë së Drejtësisë, që i shfrytëzon si struktura të një burgu.

Ndërtesat e mesit të viteve 1990 u ngritën si Qendra e Diagnostikimit Pediatrik në qytetin bregdetar, një shërbim krejtësisht i ri dhe i unifikuar në hapësirën që po e shtonte popullsinë.

Gjithçka u arrit pas këmbënguljes së “Lions Club” (Distrikti 108) në Itali, të cilët menjëherë pas ndryshimeve demokratike në vend ishin njohur nga afër dhe kishin ndihmuar sistemin shëndetësor shqiptar.

Klubi ndërkombëtar i shërbimeve kishte një veprimtari 100-vjeçare dhe shumë shpejt në projektin e Durrësit u përfshinë të gjitha klubet “Lions” të vendit fqinj.

Marrëveshja e vitit 1995 mes Bashkisë së Durrësit, “Lions Club” Italian dhe Ministrisë së Shëndetësisë, ishte pasojë e njohjes mjaft të  mirë që krijuan mjekët dhe infermieret e vendit fqinj për gjendjen e vështirë të reparteve mjekësore në spitalin e qytetit.

Punimet filluan në ish-kënetën e boshatisur, pikërisht në janar të vitit 1996, ndërsa paralelisht me të ngriheshin edhe banesat e familjeve të para të ardhura nga krahina të ndryshme të vendit.

Banorët kujtojnë se e kanë ruajtur strukturën me armë, gjatë muajve problematikë të vitit 1997.

Menjëherë pas përurimit, godinat u pagëzuan me shërbimet e para intensive për pacientët e parë nga kriza e Kosovës.

Mjekë shqiptarë dhe italianë u bënë bashkë në spitalin e ri për ndërhyrje të çdo lloji, madje edhe për ato obstetrike e gjinekologjike.

“Spitali u zgjerua me me personelin dhe pajisjet që mbërritën nga Italia,” kujton dr. Carlo d’Angelo, një nga mjekët që u kujdesën për zbatimin e projektit.

Sipas tij, një pjesë e spitalit do të shfrytëzohej si një repart i pacientëve me problem mendore.

Ndërkaq filluan trajnimet për personelin shëndetësor shqiptar.

NATO e shfrytëzoi për disa vite strukturën spitalore, në mbështetje të pacientëve ushtarakë nga zonat problematike.

“Ndërkohë mundësitë financiare të “Lions Club” nga Italia, për ta çuar para aktivitetin e spitalit, filluan të tkurren,” tregon dr Carlo d’Angelo.

Në vitin 2003, një ceremoni kuptimplote e zhvilluar në Durrës ia kaloi shtetit shqiptar strukturën shëndetësore të ngritur nga “Lions” Club Italia.

Dy vjet më vonë, në një periudhë parazgjedhore, godina e ndërtuar për qëllime shëndetësore e ndryshoi destinacionin e saj fillestar.

Struktura, që lindi si Qendër e Diagnostikimit Pediatrik, që nga ajo periudhë shfrytëzohet si Instituti i Ekzekutimit të Veprave Penale./ BIRN

Të fundit