Flash News

KRYESORE

Java (që s'ishte) në GIF: Se GIF merret me Gafa, jo me e-dramaturgji

Ina Xhani

Këtë javë rubrika “Java në Gif” është bosh dhe në vend të këtyre rreshtave këtu duhet të ishte një faqe bosh. Por më duhet të shpjegoj, me pak fjalë, përse rubrika sot është bosh, para se të më vijnë whatsapp-e të tipit “harrove dhe sot” ose “si gjithmonë, e nis diçka dhe e lë në mes”.

Sot s’ka rubrikë, sepse nuk ka gife që shpjegojnë çfarë ndjen kur lexon që në Aeroportin Ndërkombëtar të Rinasit, për të tretën herën, vidhen çantat me para, ndërsa kontrolli s’të lë të kalosh me një gjysmë shishe uji.

Nuk e shpjegon dot inatin që të mbërthen kur sheh arrogancën e atyre që paguhen me taksat e tua. As inatin që të rikap kur faji i hidhet kinezit. Nëse unë do i thosha shefit tim që 'X gjë u prish sepse Y person nuk bën detyrën e vet, ai do ma priste shkurt: po ti, miza haje?'.

Gugëllo sa të duash, por nuk gjen dot gife për të ilustruar frustrimin që ndjen kur sheh kryeministrin e vendit tënd në takim me kryeministrin grek dhe të shoqëruar veç nga këshilltari i tij për mediat. (Që të kemi një gjë të qartë, këshilltari për media ka vetëm një interes: të duket mirë shefi i tij. Ç’punë ka ai në një takim të këtij niveli? Ku janë këshilltarët për punët e jashtme? Apo janë ende në çerdhe?).

Me çfarë gif do e ilustroje skenën te Bregu i Lumit, kur në mendje të vijnë skenat e Lalit dhe Skënderbeut parazgjedhor që, te po i njëjti Breglum nuk kanë lënë premtime pa bërë e njeri pa puthur e ndukur.

“Java në GIF” do të kthehet javën tjetër (nëse e kam ende një rubrikë)....deri atëherë, nëse keni nevojë të gajaseni vizitoni rrjetet sociale të kryeministrit tonë dhe ministrave të tij... mua më gjeni te vendi im sekret.

Të fundit