Meta shpërndan alarmin klerikut katolik: Rikthehet monizmi

Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka shpërndarë në Twitter një status të Ipeshkvit të Rrëshenit, Dom Gjergj Meta, ku ky i fundit shkruan se tashmë nuk mund të quhemi as formalisht demokraci. Bashkitë në të gjithë territorin janë moniste shkruhet në statusin që ka shpërndarë presidenti Meta.

“Bashkitë dhe këshillat bashkiakë në Shqipëri në këto vite kanë qenë të gjitha të qeverisura në mënyrë autokrate, por formalisht ishin plurale. Tani e tutje, as formalisht. Brenda tyre dhe në të gjithë territorin janë moniste. Kjo nuk quhet më demokraci, as formalisht” shkruan Dom Gjergj Meta.

Presidenti Meta i ka kthyer përgjigje letrës së dërguar më 19 korrik nga Kuvendi i Shqipërisë lidhur me dekretet për zgjedhjet lokale duke cilësuar ndërhyrjen e tij për të ulur tensionet. Ndërsa dje Presidenti në një konferencë për mediat theksoi se vendimi i tij për 30 qershorin nuk mund të kthehet më mbrapsht as nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese. Ai i është referuar më parë edhe raportit paraprak të OSBE-ODHIR për të argumentuar se procesi i 30 qershorit nuk paraqiste alternativë dhe ka thënë se zgjedhje moniste, me një kandidat, për sa kohë ai të jetë President nuk do të zhvillohen në Shqipëri.