Flash News

OP-ED

Pse Serbisë i intereson projekti i 'Shqipërisë së Madhe'

Pse Serbisë i intereson projekti i 'Shqipërisë së

Janusz Bugajski

Qeveria e Serbisë mund të jetw duke planifikuar eliminimin e shtetit tw Kosovës, duke mbështetur një projekt të "Shqipërisë së Madhe". Që nga shpërbërja e Jugosllavisë, zyrtarët në Beograd kanë ‘luajtur’ me zgjidhje të ndryshme që do të stabilizonin në mënyrë të përhershme marrëdhëniet ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve dhe, përfundimisht, do të eliminonin "çështjen e Kosovës." Fokusi aktual në ndarjen territoriale mund të shikohet në këtë perspektivë strategjike.

Të gjithë serbët, nga Sllobodan Millosheviçi, kanë kundërshtuar negociatat me autoritetet në Prishtinë, por janë ‘zbutur’ vetëm për shkak të presionit nga BE dhe SHBA. Ata preferojnë të merren me Tiranën dhe e anashkalojnë Prishtinën qëllimisht, pasi kërkojnë të nënvleftësojnë legjitimitetin e shtetit të Kosovës dhe zyrtarëve të saj.

Tirana nganjëherë ka rënë në këtë kurth diplomatik edhe pse ka mbështetur fuqimisht pavarësinë dhe integritetin territorial të Kosovës. Në nëntor 2014, kryeministri Edi Rama zhvilloi një vizitë historike në Serbi, e para nga një kryeministër shqiptar në 68 vjet, duke hapur rrugën për normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve. Kjo u pasua, disa muaj më vonë, nga vizita e parë e një kryeministri serb, kur Aleksandar Vuçiç udhëtoi për në Tiranë. Vizita të tilla janë të rëndësishme për të nxitur stabilitetin rajonal, por ato gjithashtu mund të maskojnë një axhendë përçarëse.

Zyrtarët e të dyja partive kryesore në Tiranë kanë deklaruar në mënyrë periodike se ata janë udhëheqës të të gjithë shqiptarëve në Ballkan. Deklarata të tilla, zakonisht të bëra gjatë fushatave zgjedhore, mund të synojnë t'i japin mbështetje komuniteteve të ndryshme shqiptare, por ata pa dashje ndihmojnë Beogradin duke e ulur pozitën e Prishtinës. Politikanët në Kosovë nuk duan sherre me homologët e tyre në Tiranë dhe, megjithëse e shohin Shqipërinë si vendlindjen e tyre historike, ata nuk i konsiderojnë politikanët e saj si "vëllezërit më të mëdhenj".

Beogradi do të shqyrtojë pothuajse çdo mundësi për të shmangur njohjen e Kosovës si shtet i pavarur. Pasi ka dështuar në integrimin e territorit kosovar në Serbi ose në skualifikimin e Kosovës nga arena ndërkombëtare, ka rishikuar konceptin e një "Shqipërie të Madhe" që mund t'i shërbejë interesave serbe. Ndarja e Kosovës dhe bashkimi i pjesës më të madhe të vendit me Shqipërinë mund të arrijë disa objektiva.

Së pari, për konsumin e brendshëm, qeveria mund të pohojë se Serbia në të vërtetë ka përfituar nga integrimi i zonave me shumicë serbe, pa pranuar të drejtën e Kosovës për të ekzistuar si shtet. Këto ndryshime kufitare, sigurisht, do të siguronin kohezion dhe homogjenizim më të madh etnik dhe do t'u mundësonin serbëve të përqendrohen në të ardhmen e Bosnje-Hercegovinës. Projekti "Serbia e Madhe" do të merrte nxitjen më të rëndësishme që nga rënia e Milosheviçit.

Së dyti, për audiencën nga Bashkimi Europian, Beogradi mund të kërkojë kredite për kontributin e madh në stabilizimin e Ballkanit, duke ‘u shtirur’ për një marrëdhënie të qëndrueshme mes Beogradit e Tiranës. Kjo do të ndihmonte qeverinë të ecë përpara në përpjekjen e saj drejt anëtarësimit në BE dhe do të kërkonte edhe mbështetjen e Uashingtonit, që është në kërkim të zgjidhjeve të përhershme rajonale pas marrëveshjes së rëndësishme Shkup-Athinë.

Së treti, negociatat për marrëveshjen Beograd-Tiranë, të përshkruara si një traktat historik "midis serbëve dhe shqiptarëve", do të shërbenin edhe për një objektiv shtesë, pasi nëse ato dështojnë do shkaktojnë përçarje midis shqiptarëve në të dy shtetet. Nuk mund të supozohet se marrëdhëniet midis Tiranës dhe Prishtinës do të jenë gjithmonë pa probleme. Një nënvlerësim i fshehtë i dominimit gjuhësor dhe kulturor tosk që shprehet vazhdimisht, mund të indinjojë Kosovën nëse trajtohet si një partner i klasit të dytë.

Ekziston gjithashtu një llogaritje racionale politike, që një marrëveshje midis Beogradit dhe Tiranës në ‘kurriz’ të Prishtinës, do të margjinalizonte udhëheqësit e Kosovës dhe do të dobësonte pozitën e saj ndërkombëtare. Shteti i ri do të shihej më shumë si një provincë e thjeshtë e Shqipërisë, sesa si një partner i barabartë. Mbështetja në Prishtinë për një marrëveshje të lirshme midis Shqipërisë dhe Kosovës, ose një bashkim përmes një procesi të drejtuar nga BE që shkrin kufijtë, nuk parashikon aneksim të plotë.

Një marrëveshje e Serbisë dhe Shqipërisë mbart edhe kërcënime ndaj shteteve të tjera fqinje, veçanërisht ndaj Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut. Popullsia shqiptare në jugun e Malit të Zi mund të joshet që të shkëputet për "t'u bashkuar me atdheun" dhe të përdoret si instrument kundër qeverisë në Podgoricë në përpjekje për të riintegruar Malin e Zi me shtetin serb. Në Maqedoninë e Veriut, çdo bashkim territorial midis Shqipërisë dhe Kosovës mund të ringjallë fantazmat e separatizmit në mesin e popullatës shqiptare, në rrethet perëndimore dhe madje edhe në Shkup.

Në një botë idilike, Shqipëria, Kosova dhe Serbia do të lëviznin drejt një të ardhmeje të përbashkët në BE, ku kufijtë do të pushonin së qeni shenjë dalluese të ekskluzivitetit etnik. Por rajoni është larg idilikut dhe vetë Europa tani është e tronditur nga kërkesat e mëdha për kufijtë etnikë.

*Janusz Bugajski është ekspert i lartë në Qendrën për Analizën e Politikave Europiane në Uashington-DC.  

**Shkrimi është botuar fillimisht në gazetën 'Tirana Times'. Përktheu për Politiko.al: Loneta Progni

Të fundit