Flash News

KRYESORE

Takimi me Hotin, Meta: Duhet platformë gjithëpërfshirëse për dialogun me Serbinë, i domosdoshëm liberalizimi i vizave

Takimi me Hotin, Meta: Duhet platformë gjithëpërfshirëse

Presidenti Ilir Meta ka takuar sot kryeministrin e Kosovës Avdullah Hotin. Pas këtij takimi Meta ka postuar në Facebook një status ku shkruan për çfarë bisedoi me Hotin, ku veçon si temë diskutimi dialogun Kosovë-Serbi. Presidenti Meta thekson se Shqipëria mbështet dialogun Kosovë-Serbi, për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

Gjithashtu, kreu i Shtetit shprehu besimin e plotë se institucionet e Kosovës do të vijojnë të përfaqësojnë interesin më të mirë të Kosovës në dialogun me Serbinë.

“I lumtur të prisja sot në një takim vëllazëror Kryeministrin e Republikës së Kosovës, Sh.T.Z Avdullah Hoti.

E urova përzemërsisht për detyrën e re dhe për sa më shumë suksese në të mirë të Kosovës, popullit të saj dhe të ardhmes europiane.

Shqipëria mbështet dialogun Kosovë-Serbi, për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, dhe në këtë kuadër janë të mirëpritura përpjekjet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Europian.

Është e rëndësishme që të gjitha forcat politike të Kosovës të jenë të bashkuara rreth një platforme gjithëpërfshirëse në këtë proces.

Liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës është një domosdoshmëri që duhet të ndodhë sa më parë.

I premtova Kryeministrit Hoti se edhe kësaj vere do të promovoj me kënaqësi bukuritë natyrore të Kosovës sonë të dashur, i bindur se edhe shumë qytetarë nga Kosova do ta kalojnë sezonin turistik në perlat e bregdetit dhe malet e jashtëzakonshme të Shqipërisë. 🇦🇱❤️🇽🇰”, shkruan Meta në Facebook.

Të fundit