Flash News

OP-ED

Tërmeti, dëshmia më e mirë për qëndrueshmërinë e Teatrit Kombëtar

Tërmeti, dëshmia më e mirë për

Markel Baballëku

A duhet të qendrojë kjo ndërtesë si pjesë e trashëgimisë kulturore?

Instituti i Monumenteve të Kulturës në bashkëpunim të plotë me arkitektë, historianë dhe të tjerë të interesuar duhet të analizojnë, të shprehin argumentet dhe të dalin në një qëndrim të njësuar. Ndërhyrja e qeverisë apo opozitës politike mbi këtë aspekt më duket e pavend.

A duhet të shërbejë kjo ndërtesë si teatër kombëtar?

Ndoshta jo. Por ajo mund të jetë një nga teatrot e Tiranës, meqë Kryeqyteti nuk e ka një të tillë të denjë. Artistët, më shumë se të tjerët, duhet të shprehen dhe të argumentojnë.

A është e qëndrueshme ngrehina e teatrit?

Këtu po ndalem pak.

Duke u shprehur shpejt e logjikshëm, kjo ngrehinë afro një shekullore, ngjashëm me mjaft të tjera të ndërtuara në të njëjtën periudhë kohore, patjetër që mbart paqartësi, dëmtime dhe jo përmbushje të kërkesave të sotme inxhinierike.

Por, përfundimi se ajo është “e rrezikshme”, më e pakta është i ngutur.

Struktura e saj qëndron dhe tërmeti i një viti më parë, ndonëse jo i një shkalle domethënëse, ishte një provë e mirë për të nxjerrë në pah aftësinë e saj strukturore. Nëse gjendja e saj do të ishte e rrezikshme, tërmeti në mos do e shembte do kishte shkaktuar dëmtime të dukshme strukturore. Dëmtimet e shfaqura në disa foto në rrjet nuk kanë të bëjnë me strukturën mbajtëse të saj por përgjithësisht me përkeqësime/dëmtime të veshjes së ndërtesës.

Referuar kërkesave europiane strukturore, për çdo ndërtim që ka mbushur moshën 50 vjeçare, edhe kur përmes një vlerësimi paraprak ai nuk shfaq probleme, kërkohet vlerësim i hollësishëm strukturor, dhe, më pas, merret vendim: nuk ka nevojë për ndërhyrje riaftësuese; ka nevojë për përforcim; duhet shembur dhe rindërtuar (rikonstruktuar). Ky vlerësim i hollësishëm, në dijeninë time dhe jo vetëm, nuk është kryer . Për tu bërë si duhet, kërkohet kohë, prova të shumta, të shumëllojshme dhe me pajisje të posaçme, në terren dhe laborator si dhe ekspertë me njohuri të plota për vlerësimin dhe riaftësimin strukturor.

Ndonjë vlerësim paraprak mund ta ketë kategorizuar ndërtesën të rrezikshme kundrejt zjarrit (të tillë e mendoj edhe unë), por në këto raste mund të merren masat përkatëse. Sikurse druri, edhe çeliku është material i cenueshëm ndaj zjarrit, e kjo nuk do të thotë që ndërtesat me dru apo çelik detyrimisht duhet të shëmben.

Nëse kjo ndërtesë do të ishte pulari apo për magazinim dhe nëse materialet për zbatimin e saj do të konsideroheshin të pavlera apo të rëndomta në këndvështrimin ndërtimor, vendimi mund të ishte më i thjeshtë për tu marrë. Por nëse larmishmëria, mënyra e veçantë e ndërthurjes së këtyre materialeve të “pavlera” në një ndërtesë unike të tipilogjisë së vet në Shqipëri është e vlerë.

Po kështu, ndërtesat më qerpiç, që në pamje të parë duken të pasigurta (kallama, kashtë e baltë), në këndvështrimin strukturor rezultojnë zgjidhje të përshtatshme kundrejt tërmetit.

A mund të përforcohet e për rrjedhojë të riaftësohet një ndërtesë ?

Sipas meje, Mundet!

Vendimarrja nëse duhet riaftësuar apo rindërtuar varet kryesisht nga: rëndësia e ngrehinës - vlera e saj historike, arkitekturore, inxhinierike, etj.; funksioni i saj; kostoja e riaftësimit. Kjo e fundit, në raste të veçanta dhe me ndërhyrje të shumta përforcuese, mund të shkojë 20% përtej kostos së rindërtimit të së njëjtës ngrehinë.

Pa një analizë të plotë të faktorëve të përmendur më sipër, e jo vetëm, çdo vendimmarrje që mbështetet në argumentin “ngrehinë e rrezikshme”  për ndërtesën e Teatrit Kombëtar do të ishte e ngutshme dhe e dëmshme.

Të fundit